Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në emisionin “Log” të gazetarit Endri Xhafo ka folur për qëllimet e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Ai u shpreh se projekti i partisë së tij është afatgjatë, teksa tha se kundër kësaj qeverie fitohet vetëm me besim, duke bindur qytetarët se janë të besueshëm për të formuar një qeveri të pakorruptuar.
“Kundër kësaj qeverie fitohet me besim. Në momentin që do i bindim qytetarët që jemi të besueshëm për një qeveri të pakorruptuar njerëzit do vijnë nga pas. Është një projekt afatgjatë. Nëse situata është shumë e rëndë zgjidhja nuk mund të vijë nga dita në ditë. Rasti më i keq për ne do të jetë se do të duhet shumë më shumë punë”, u shpreh Shehaj.
Për Shehajn, është e qartë se fitimi i zgjedhjeve të ardhshme është një sfidë në kufijtë e të pamundurës, ndaj tha se qëllimi i “Mundësisë” është të formojë një grup parlamentar.
“Do të isha qesharak nëse do të thosha se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë. Ne kemi synim të vijmë në pushtet, por jemi të vetëdijshëm se kjo do punë dhe kohë. Kemi një qëllim shumë ambicioz në zgjedhjet e ardhshme dhe sipas analizave tona, jemi sot që flasim partia e dytë opozitare pas PD dhe synojmë minimalisht të krijojmë një grup parlamentar”, tha ai.