Agron Shehaj: “Mundësia” do të jetë e vetmja parti që hyn në Parlament pa ndihmën e PD dhe PS

Në një intervistë në emisionin Log, kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi me bindje se partia që ai drejton do të jetë e para dhe e vetmja forcë politike që do të hyjë në Parlament pa pasur mbështetjen e dy partive tradicionale të mëdha, PD dhe PS.

“Ne do jemi partia e parë dhe e vetme që hyn në parlament pa mbështetjen e dy partive të mëdha dhe duke i patur kundër të gjithë partitë”,  u shpreh Shehaj.

Ai e cilësoi “Mundësinë” si një projekt politik afatgjatë, ku zgjedhjet e ardhshme janë vetëm hapi i parë drejt një ndryshimi të thellë në sistemin politik shqiptar. Shehaj solli si shembull Giorgia Melonin në Itali, duke thënë se ajo ia doli të bëhej kryeministre pikërisht sepse qëndroi besnike ndaj parimeve dhe premtimeve të saj.

Në intervistën e tij, ai zbuloi gjithashtu se ka pasur interes nga deputetë të Partisë Demokratike për t’iu bashkuar “Mundësisë”:

“Ne kemi pasur kërkesa, 5 deputetë të PD që do kishin dashur të bëheshin pjesë e partisë ‘Mundësia’. Kur ti nuk ndan me ata parimet, nuk ka pse të bashkëpunosh”, tha Shehaj.

Deklaratat e Shehajt vijnë në një kohë kur partitë tradicionale ndodhen përballë sfidave të brendshme dhe mungese besimi nga publiku, ndërsa “Mundësia” synon të shfaqet si një alternativë e vërtetë për qytetarët që janë lodhur nga politika e vjetër.