Një debat i ashpër ka ndodhur në Komisionin e Ekonomisë mes kryetarit Eduard Shalsi dhe deputetit Agron Shehaj, me këtë të fundit që nuk është lejuar të flasë.
Në Komision ishte thirrur në seancë dëgjimore Ministri i Financave, Petrit Malaj, por në momentin që Shehaj bënte pyetjet, ndërpritej vazhdimisht nga Shalsi.
Këtu ka filluar edhe debati mes tyre, me Shehaj që në një moment i ka përmendur Shalsit se ai dhe familja e tij kanë shumëfishuar pasurinë brenda pak vitesh. Pas kësaj akuze të Shehajt, ka ardhur edhe reagimi i Shalsit, që pasi ka lëshuar ofendime të njëpasnjëshme, ka mbyllur mbledhjen e Komisionit të ekonomisë, duke mos lejuar ministrin Malaj të vijojë të flasë për atë që ishte pyetur.
Por pse hidhen këto akuza ndaj Shalsit?
Eduard Shalsi njihet nga opinioni publik për shprehjen “Nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa ç’kanë bërë këta”, e cila u pasua nga komenti i moderatorit të emisionit, Sokol Balla, që i tha “do vidhni më bukur”. Ato fjalë, fatkeqësisht për shqiptarët, duket se u kthyen në realitet.
Por, përveç kësaj shprehje që ka mbetur gjatë në kujtesën shqiptarëve, Shalsi njihet edhe për mbrojtjen që i bëri kompanive të mikrokredive pas skandalit të publikuar pak muaj më parë, apo edhe mbrojtjes së kompanive që shisnin akullore me përmbajtje kancerogjene.
Pak ditë më parë në Kuvend, Gazment Bardhi akuzoi Eduart Shalsin se ka fshehur .8 milionë euro pasuri në emër të gruas, dhëndrit dhe baxhanakut të tij. Ai e akuzoi socialistin se ka 7-fishuar pasurinë në 10 vite, ndërkohë që ka një rrogë prej 1 mijë euro në muaj.
Madje, kreu i Grupit Parlamentar demokrat tha se ndaj Shalsit ka nisur një hetim, teksa tha se Shalsi e ka shtuar pasurinë e tij me paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit.
“Prej vitit 2004 kur u emërua Drejtor Kabineti e Zv/kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe deri në vitin 2022, pasuria e tij e deklaruar është shtuar 7 herë. Nga 97 milionë lekë, megjithëse me pagë 1000 Euro e pagë 700 Euro të gruas me aktivitet privat “Person fizik”, pasuria e tij arriti 680 milionë lekë, por ka dyshime për fshehje të 1.8 milionë Euro pasuri në Fier e Tiranë te njerëzit e gruas dhe në Durrës, Korçë, Vlorë etj”, raporton Prapaskena.