Agron Shehaj i përgjigjet akuzave të Nokës: Shpifje! Sulmohem se nuk duan të denoncoj vjedhjen e Ulajt prej 1.3 mld euro në Thumanë-Kashar

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka përgënjeshtruar të gjitha deklaratat që Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka , ka bërë ndaj tij, pavarësisht denoncimeve që Shehaj ka bërë sa i takon koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar.

Në një intervistë për News 24, Shehaj tha se biznesmeni Bashkim Ulaj që ka fituar koncesionin ku për 20 km rrugë do të përfitojë 1.3 mld euro nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, është i afërt me Nokën.

Sipas tij, kjo rrugë duhet të kushtonte vetëm 60 milionë euro dhe se kosto ka shkuar në 1.3 miliardë euro.

Shehaj po ashtu shtoi se qytetarëve po u bëhet një vjedhje e madhe me këtë koncesion ndërsa shtoi se po bëjnë një opozitë të vërtetë.

“Flamur Noka ka shpifur ndaj meje.  Biznesmeni Ulaj është i afërt me Nokën, i njëjti biznesmen ka fituar një koncesion 20 km rrugë pothuajse ku do përfitojë nga qytetarët shqiptarë 1.3 mld euro. Për këtë nuk flet askush. Ne po bëjmë një betejë të rëndësishme që këto 2500 lekë do shkojnë në xhepat e Edi Ramës”- tha Shehaj.

I pyetur nëse është e vërtetë që kompania e tij ka ndërtuar shtëpinë e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, Shehaj deklaroi se edhe kjo është shpifje.

“Është shpifje. Është shpifje që unë gjoja kam ngrënë dreka e darka me Veliajn. Kanë marrë vesh që kam mbaruar universitetin në Firenze dhe vetëm shpifin. Shpifjet janë, që unë të ndalem në denoncime, që ata nuk duan të jetë si denoncim. Si mund ta vërtetoj unë se kam ngrënë  drekë a darkë apo jo me vëllain e Veliajt? Ne po bëjmë opozitë të vërtetë. PD në vend që të denoncojë bashkë me ne, për tarifën e rrugës Thumanë-Kashar, nxjerr Flamur Nokën që të më sulmojë mua. I ftoj qytetarët që të hapin sytë dhe të shikojnë realitetin”, u shpreh ai.