Agron Shehaj flet pas dhunës në Kuvend: PD nuk ishte dakord që unë të bëja opozitë të vërtetë

Deputeti Agron Shehaj ka folur jashtë dyerve të Kuvendit pas incidentit që ndodhi brenda sallës së Kuvendit ku Flamur Noka e sulmoi fizikisht atë.

Shehaj tha se në vend qe deputetët e opozitës të solidarizoheshin me të, pasi kishte kërkuar fjalën për të folur për aksin Thumanë-Kashar me vlerë 1.3 miliardë euro, ata u bënë palë me socialistet.

Shehaj shpjegoi për gazetarët, se në momentin që bën opozitë të vërtetë dhe kur flitet për skandale, si ajo e rrugës Thumanë-Kashar, opozita dhe PS bëhen bashkë.

Deputeti dhe kryetari i partisë “Mundësia”, tha po ashtu se garda e lejoi Flamur Nokën që ta largonte me forcë nga Foltorja dhe një deputet i opozitës të dhunohej brenda Kuvendit.

“Gjashtë muaj interpelanca është shtyre, sepse është afera e shekullit,1.3 miliardë euro. Kërkova fjalën për replike, për procedure, me mjaftonin 2 minuta, mu refuzua. Ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur me përpara në Kuvend, ku deputetet e opozitës në vend që të solidarizoheshin me mua, u bënë palë disa prej tyre, merrnin fjalën pavarësisht se mua po me mohohej dhe po flisja për një skandal 1.3 mld euro, ajo që ndodhi me vonë ku deputeti i opozitës u lejua nga garda me dhune të më largonte nga foltorja. Ishin aty ku Flamur Noka erdhi me largoi me dhune, pati një përplasje fizike, u larguan kur panë që Noka ishte aty. Garda lejoi që kjo të ndodhte, që një deputet i opozitës të dhunohej brenda ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë. Do të thotë që kur ben nje opozitë të vertete, kur flet per vjedhjet galopante te Edi Rames, të gjithë bëhen bashkë.”- tha Shehaj.

Ai po ashtu konfirmoi ndarjen me Partinë Demokratike, duke thënë se rrugët e tyre ndahen pas ngjarjes se turpshme në Kuvend ku Flamur Noka e sulmoi fizikisht dhe i hoqi telefonin nga dora.

“Kisha një raport me PD që fatkeqësisht u prish, mesa duhet nuk ishin dakord që unë të bëja opozitë të vërtetë.  Doja të flisja për aferën 1.3 mld euro është një pjesë e madhe e buxhetit qartësisht që rrugët tona ndahen.

Unë doja thjesht të flisja. Kaq. Ishte e drejta ime si përfsqësues i Kuvendit të shqipërisë, nuk ëashtë çështje axhende”- u shpreh Shehaj.