Gjatë lojërave të spiunazhit gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezultati i luftës varej shpesh herë nga detaje të vogla. Armeni Gevorg Vartanian, iu bashkua shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik nëpërmjet babait të tij që kur ishte vetëm 16 vjeç.
I ati i Vartanian ishte një tregtar i pasur në Teheran, pasi u transferua atje në vitin 1930 kur djali i tij ishte vetëm 6 vjeç. Por në fshehtësi ai punoi si informator dhe oficer zbulimi për sovjetikët. I riu Gevorg zbuloi dhuntinë e tij për të mësuar gjuhë të huaja.
Rritja në Iran, ndikoi në nxitjen e tij për t’u bërë një agjent sekret, për shkak të adoptimit të një gjuhe dhe stili jete të huaj për të. Shumë shpejt ai u rekrutua nga KGB-ja përmes babait të tij. Në vitin 1940, ende një adoleshent ishte tashmë përgjegjës për rekrutimin e agjentëve të tjerë për llogari të spiunazhit sovjetik.
Vartanian punoi me një celulë spiunësh të përbërë nga 7 agjentë të tjerë të inteligjencës, të cilët sabotuan me sukses një numër operacionesh të vendeve të Boshtit, dhe kapën më shumë se 400 spiunë nazistë gjatë një periudhe të shkurtër 2-vjeçare. Ai fitoi besimin e agjencisë dhe pavarësisht moshës së tij të re, po ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës në radhët e KGB-së.
Por përse kishte një prani të shërbimit sekret sovjetik në Iran? Në periudhën midis 2 luftërave botërore, Irani ishte një vend i trazuar. Lufta e ashpër politike u shndërrua në një luftë civile gjatë viteve 1920, dhe ajo përfundoi me fitoren e Shahut (Perandorit) të ardhshëm Reza Khan.
Perandoria e Iranit shpalli neutralitetin, pasi synonte të rregullonte situatën e brendshme politike. Bashkimi Sovjetik ishte prej kohësh i interesuar të ndikonte mbi politikën iraniane, dhe kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ky vend u bë shumë i rëndësishëm në aspektin strategjik.
I pasur me naftë dhe i pozicionuar midis kolonive britanike të Irakut, Indisë dhe Bashkimit Sovjetik, vendi u pushtua paqësisht nga një forcë e përbashkët e forcave sovjetike dhe britanike, që krijuan në vitin 1941 të ashtuquajturin Korridor Persian.
Ai shërbeu për të ofruar ndihmë ushtarake për Bashkimin Sovjetik, që në atë kohë mbante frontin e vetëm në Evropë kundër Gjermanisë naziste. Meqë vendi shërbente si një lloj terreni takimi për aleatët dhe sovjetikët, në fillim të vitit 1942 u ra dakord që në Teheran të mbahej një konferencë për të përcaktuar hapat e mëtejshme që duheshin ndjekur në luftë.
Konferenca ishte planifikuar të mbahej në nëntor 1943. Nazistët kishin marrë informacione të sakta mbi vendndodhjen e konferencës, ndaj planifikuan me kujdes një atentat që mund të sillte një fitore të lehtë për ta në luftë. Konferenca e Teheranit do të drejtohej nga Tre të Mëdhenjtë, Uinston Çërçill, Frenklin Ruzvelt dhe Josif Stalin.
Adolf Hitleri e pa atë si një mundësi të artë për t’i prerë me një goditje të vetme “kokën” udhëheqjes së kampit armik. Ndërkohë, sovjetikët donin të dinin se sa të dhëna kishin vërtet gjermanët mbi konferencën. Nikolai Kuznecov, një agjent ishte maskuar si oficer gjerman në Ukrainën e pushtuar nën emrin e rremë Paul Sibert, zbuloi se gjermanët e dinin se Tre të Mëdhenjtë do të takoheshin në Teheran.
Ai e mori informacionin teksa po pinte një mbrëmje me një oficer SS, Ulrih Von Ortel, i cili ia tha kur ishte në gjendje të dehur. Von Ortel dinte vetëm se në Teheran ishte planifikuar një atentat, duke synuar “Tre të Mëdhenjtë”. Operacioni i koduar quhej “Kërcimi së gjati”.
Hitleri e mori seriozisht atë mundësi, duke punësuar për këtë operacion njerëzit e tij më të aftë. Në krye të operacionit u caktua Ernst Kaltenbryner, shefi i policisë sekrete. Ndërkohë njeriu që do të drejtonte aksionin në terren ishte Oto Skorzeni, një komando i besuar i Hitlerit, i njohur për operacionet e tij që shpesh përdornin metoda kriminale dhe terroriste.
Në vjeshtën e vitit 1943, Vartanian dhe celulës së tij iu dha detyra të parandalonin atentatin. Ai ishte personalisht përgjegjës për sigurinë e 3 prej njerëzve më të rëndësishëm të botës dhe në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç. Pas një hetimi të plotë të njësisë së kundërzbulimit, Vartanian dhe ekipi i tij zbuluan 6 operativë gjermanë që po jepnin informacione 2 muaj përpara hapjes së konferencës më 28 nëntor 1943.
Ata ishin pjesë e një ekipi që ishte hedhur me parashutë afër qytetit iranian Qom, rreth 64 km larg nga Teherani. Pasi kapën sinjalin e tyre, sovjetikët shtinë në dorë informacionet për vendndodhjen e komando që do të kryente atentatin.
Shumë shpejt u bë e qartë se Abwehr, Shërbimi Informativ i Ushtrisë Gjermane, kishte një rrjet të zhvilluar informatorësh dhe spiunësh në Iran. Ata u takuan në një vilë që shërbente si selia e tyre. Nga ai ky vend, gjermanët vunë në dijeni Berlinin për përparimin e tyre. Edhe pse mesazhet ishin të koduara, celula e Vartanian arriti t’i deshifronte ato.
Më vonë ai shkroi:“Ne i ndoqëm ata deri në Teheran, ku stacioni fushor nazist kishte përshtatur një vilë për qëndrimin e tyre. Ata udhëtonin me deve dhe ishin të armatosur. Ndërsa ne po ndiqnim grupin, pamë se ata kishin kontaktuar Berlinin me radio, dhe kishin regjistruar komunikimin e tyre…
Kur deshifruam mesazhet në radio, mësuam se gjermanët po përgatiteshin të zbarkonin një grup të dytë subversiv për një akt terrorist, atentatin ose rrëmbimin e Tre të Mëdhenjve. Grupi i dytë supozohej të drejtohej nga vetë Skorzeni. Kur nazistët e kuptuan se po vëzhgoheshin, e ndërprenë misionin”.
Të gjithë anëtarët e grupit të parë u arrestuan, dhe u detyruan të kontaktojnë me eprorët e tyre nën mbikëqyrjen e sovjetikëve. Operacioni u anulua dhe grupi kryesor i udhëhequr nga Skorzeni nuk shkoi kurrë në Teheran. “Njeriu më i rrezikshëm në Evropë” dhe shpëtimtari i Benito Musolinit, u detyrua të tërhiqej nga një prej operacioneve të tij më ambicioze të planifikuara ndonjëherë, dhe e gjitha kjo falë këtij operativi të ri të KGB-së.
Pas luftës, Vartanian u diplomua në Shkollën e Gjuhëve të Huaja në Jerevan të Armenisë, pasi ai ishte gjithmonë i etur të mësonte gjuhë të reja. Nuk dihet nëse ai u tërhoq apo jo nga shërbimi sekret pas luftës. Por ishte bartës i medaljes së Heroit të Bashkimit Sovjetik dhe një figurë e respektuar në shoqëri.
Vartanian u takua me mbesën e Uinston Çërçillit në vitin 2007, dhe ajo e përgëzoi atë për kontributin e tij për luftën e vendeve aleate. Gevorg Vartanian vdiq në vitin 2012, në moshën 87-vjeçare.