Agim Ismaili u mor nën hetim nga SPAK, ish-drejtori i Burgjeve i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal

Ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili është marrë nën hetim nga SPAK për tre vepra penale, lidhur me tentativën për hakerimin e dosjeve të Prokurorisë së Posaçme. Burime për mediat thonë se Ismaili po hetohet për: ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’,  ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ lidhur me sulmin kibernetik nga SPAK, më herët gjatë këtij viti.

Emri i Ismailit doli në sulmin kibernetik që iu bë SPAK në muajin mars, për të cilin u arrestuan ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut Vlorë Zambak Gjonaj.

Asokohe, nga sulmi kibernetik ndaj Prokurorisë së Posaçme, hakerët tentuan të merrnin informacione të klasifikuara nga kompjuterët e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.

Sipas, SPAK hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT- që sipas tyre mbetet i pacënuar- por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore. Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses falë masave të sigurisë.