Afera me dy tenderat me vlerë 210 milionë euro, Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë z.kryeministren dhe njëherëzi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke pranuar ankimimin e qeverisë.

Në mbledhjen e kësaj të premteje, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë, e cila është marrë e pandehur për dy tendera, atë të tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.

Ndërkohë masa e GJKKO për ndalimin e daljes jashtë shtetit të Ballukut mbetet në fuqi.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë duke thirrur si subjekte të interesuara SPAK-un, GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës, në datën 22.01.2026, ora 10:00.

Kujtojmë se më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Ballukun, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.

Gjykata vlerësoi se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.

Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.