Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës për aferën e inceneratorit të Fierit, ku janë të përfshirë ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe inxhinieri Arben Dervishaj.
Pikërisht këta dy të fundit kanë hedhur akuza të forta në drejtim të SPAK dhe prokurorit të çështjes Dritan Prençi, të cilët së bashku me avokatët kanë kërkuar pafajësi, pasi sipas tyre, akuzat e ngritura janë të pabaza. Vetë Alqi Bllako ka deklaruar se kësaj çështje do t’i shkojë deri në Gjykatën e Strasburgut nëse nuk merr pafajësinë, ndërsa Dervishaj deklaroi para togave të zeza se nuk ka patur fare të bëjë me aferën e inceneratorëve, pasi sipas tij, nuk ka qenë ai mbikqyrësi i punimeve.
Por prokurori Dritan Prençi nuk është tërhequr nga akuzat për të pandehurit, duke u shprehur se tashmë vendimi i takon Gjykatës së Posaçme.
Deklaratat e avokatëve dhe të pandehurve:
Elis Bilali, avokati i Arben Dervishajt:
“Prokurori e tregoi qartë se nuk i qëndron akuzës. Jemi para faktit se çështja duhet të pushohet dhe Dervishaj të shpallet i pafajshëm. Ndodhemi në situatë ekstra ligjore të paparashikuar në KPP. Në këtë situatë gjykata duhet të shprehet me vendim”.
Artan Kodheli, avokat i Alqi Bllakos:
“Rëndimi i akuzës për Bllakon është i paligjshëm dhe për t’i bërë presin gjykatës në momentin e konkluzioneve përfundimtare. KKP e rregullon në mënyrë shterruese qëndrimet që duhe të mbajë prokurori. Gjykata ka konkluduar se për Alqi Bllakon, do të ketë shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv, jo si funksionar i lartë shtetëror. Asnjë organ akuze nuk mund të ndryshojë një vendim të formës së prerë sidomos në këtë fazë të gjykimit. KPP ndalon kategorikisht një vendim të tillë, jemi në një procedim të gjykimit të shkurtuar. S’mund të ketë fakte të reja në gjykim të shkurtuar. Është veprim arbitrar i prokurorit. E akuzon për shpërdorim detyre duke mos cituar asnjë ligh, shkel 10 dispozita ligjore. Prokurori shpërdoron detyrën duke ngritur akuza për shpërdorim detyre. Sekretari i përgjithshëm është funksion i lartë civil.”
Eduart Sheko, avokati i Alqi Bllakos:
“Prej 18 muajsh ndjekje inkuizitore ndaj Alqi Bllakos me mjete ekstra-ligjore. Prokurori e ka pranuar këtë kërkesë për saktësim akuze. Nëse ishte kundër, ta ankimonte jo ta linte për ta bërë tani. Ky është një akt i pabesë që bëhet pikërisht në këtë fazë.”
Bledar Dervishaj, avokat i Arben Dervishajt:
“Asnjë ditë Dervishaj nuk ka qenë mbikqyrës i punimeve. Mbikqyrës ka qenë “Ave Consulting”. Pse prokurori nuk e mari bashkë të pandehur nëse donte t’i shkonte deri në fund. Me sa duket, prokurori ka qenë i drejtuar nga Dervishaj. Kjo kompani vijon edhe sot mbikqyrjen. Kërkojmë shuarje të masës së sigurisë, pushim të çështjes dhe shpallje i pafajshëm.”
Arben Dervishaj:
“Prisnim që në konkluzionet e SPAK dokumente me fakte penale. Por prokurori u kthye te akuzat e vjetra. Pretendon se jam subjekt i posaçëm, që jam subjekt me funksione publike. Gjyqtarja paraprake e përcaktoj qartë që nuk jam. Nuk jam unë mbikqyrës i punimeve por kompania “Ave Consulting”. Me qëllim prokurori nuk shikon VKM-në që normon një komptencë të tillë për përzgjedhjen e mbikqyrësit. Nuk kam qenë as nuk kam kërkuar ndonjëherë të jem subjekt i posaçëm. Prokurori përveç se prej 8 muajsh më ka hequr lirinë, nuk ka marrë parasysh gjendjen time shëndetësore dhe kërkesat për masën, ka ndryshuar 3 herë akuzat ndaj meje. Veprimet e prokurorit “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”. Nuk jam unë sot ai që ka shkelur ligjin, është prokurori ai që ka shpërdoruar detyrën. Ndodhem në mungesë të akuzës. Kërkoj lirinë. Nëse prokurori i qëndron të njëjtës akuzë, do ta mendoj edhe njëherë gjykimin e shkurtuar. Nëse nuk më pranohet kërkesa por merret parasysh qëndrimi i prokurorisë do ta rishikoj qëndrimin tim për formën e gjykimit. E nderuar trupë gjykuese, zbatoni Kushtetutën, po mbahem në qeli pa akuzë”.
Prokurori Dritan Prençi: Ne i qëndrojmë pretendimeve tona. Ia lëmë gjykatës që të vlerësojë situatën. Nuk kemi ndryshim akuze, në seancën paraprake nuk është bërë ndryshim akuze por saktësim akuze. Edhe gjyqtarja paraprake këtë kërkoi. Alqi Bllako është subjekt i nenit 260.