Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” hyri në zgjedhjet e 11 Majit me bindjen se do të arrinte të çante sistemin, teksa në daljet publike nuk munguan as deklaratat e forta, ku drejtuesit e saj thoshin se do të merrnin 71 mandate.
Një nga kauzat kryesore të këtij koalicioni të drejtuar nga Adriatik Lapaj ishin “listat e hapura”, me Nismën Shqipëria Bëhet që vendosi t’i aplikojë sipas modelit të PSD-së në zgjedhjet e kaluara, ku lista e mbyllur do të ishte fiktive dhe do të jepte dorëheqjen.
Por, pas përfundimit të numërimit, ndodhi ajo që nuk pritej, të paktën nga votuesit e këtij koalicioni. Mandati i vetëm i fituar u kthye në një “mollë sherri”, pasi vetë Adriatik Lapaj nuk mbajti fjalën e dhënë publikisht se nuk do e pranonte mandatin nëse do të ishte i vetmi deputet i këtij koalicioni.
Pas sulmeve, kërcënimeve dhe akuzave ndaj njëri tjetrit mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt, radha i erdhi KQZ-së të merrte vendim. Ilirjan Celibashi vendosi që mandatin t’ia japë Kleana Xhuvelit, vajzës së tezes së Adriatik Lapajt, por që vetë ky i fundit publikisht ka deklaruar se e ka motër për shkak se ajo është rritur që foshnje në shtëpinë e tij.
Vendimi i KQZ-së u ankimua në KAS nga Lapaj, që kërkonte që mandati t’i shkonte atij, por as KAS nuk mori këtë vendim. Madje KAS rrëzoi edhe KQZ-në, duke ia dhënë mandatin Ana Dajkos, të parës në listën e mbyllur.
Kolegji Zgjedhor mbeti shansi i fundit i Lapajt për mandatin, ndaj edhe iu drejtua me një kërkesë.
Ndryshe nga kërkesa në KAS, këtë herë Lapaj kërkoi që mandati të mos i shkonte atij, por Kleana Xhuvelit, pra të lihej në fuqi vendimi i KQZ-së.
Por, me këtë kërkesë, Lapaj lëshoi edhe kauzën e tij të listave të hapura, pasi kërkoi që mandatin ta marrë një kandidat i listës së mbyllur, që në këtë rast do të ishte motra e tij.
Pra, atë që e kishte ngritur si kauzë gjatë këtyre viteve që mandatet duhet t’i marrin kandidatët më të votuar, Lapaj e rrëzoi vetëm me një kërkesë në interes të familjes së tij.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor i preu shpresat përfundimisht Lapajt për të marrë mandatin, ndërkohë që zbuloi edhe një të vërtetë: kauza e listave të hapura ekziston deri në momentin kur në mes futet interesi personal apo familjar.