Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimin me forcë të kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi.
Policia sqaron se gjatë kontrollit në një lokal në rrugën e Dibrës pas informacioneve se ushtroheshin lojëra fati, Alimadhi ka kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht efektivët. Jo vetëm kaq, por Alimadhi ka tentuar që të largohet nga ky lokal, pavarësisht se efektivët i kërkuan që të qëndronte në vendin ku ndodhej deri sa të përfundonin kontrollin.
Pasi Alimadhi po pengonte forcat e policisë, këto të fundit u detyruan ta shoqëronin me forcë. Alimadhi është proceduar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë” njofton policia.