Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre persona të dyshuar për abuzim seksual dhe kanosje ndaj një vajze 16-vjeçare nga Këlcyra.
Të arrestuarit janë Isi Pasho, Kristian Prifti dhe Pajtim Baka, ky i fundit efektiv policie dhe njerku i të miturës.
Sipas materialeve hetimore të paraqitura nga prokurorja Denisa Plaku, bazuar në dëshmitë e vajzës dhe provat e mbledhura nga AMP dhe OPGJ, rezulton se abuzimi ka ndodhur përgjatë një periudhe trevjeçare.
Gjithashtu, janë dokumentuar komunikime të dyshimta në celular mes të miturës dhe personave të akuzuar, përfshirë edhe policin Artur Ago, i cili është shpallur në kërkim pas shpërthimit të skandalit.
Pavarësisht kërkesave të avokatëve mbrojtës për masa më të lehta sigurie, me argumentin se të pandehurit nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore, gjyqtarja Nertila Perralla vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe caktoi arrest me burg për të tre të dyshuarit.
Masa e njëjtë është dhënë edhe në mungesë për Artur Agon. Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë.