“Abuzoi me ne seksualisht kur ishim të vegjël”/ Dy vëllezërit shqiptarë vrasin kushëririn e tyre në Greqi

Një 28- vjeçar shqiptar është vrarë me thikë mbrëmjen e djeshme në Greqi. Siç raportojnë mediat greke, autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë dy kushërinj të tij, vëllezër të moshës 17 dhe 19 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 kur efektivët e Policisë Rrugore, të cilët po lëviznin pranë kryqëzimit të rrugëve Chania dhe Patisia, panë të rrëzuar përtokë 28-vjeçarin Denis Loka.

Ai u dërgua me ambulancë në spitalin “Evangelismos”, por nuk mundi që të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.

Rreth një orë më vonë dy vëllezërit janë paraqitur në komisariatin e Kipselit të shoqëruar nga nëna e tyre dhe kanë rrëfyer se kanë vrarë 28-vjeçarin, i cili kishte shkuar së fundmi në Greqi.

17-vjeçari ka treguar në polici se ka qenë ai që ka plagosur për vdekje 28-vjeçarin, ndërsa 19-vjeçari ka qenë bashkëpunëtor.

Sipas dëshmisë së vëllezërve kur kanë qenë fëmijë, 28-vjeçari ka abuzuar seksualisht me ta në Shqipëri. Kur u takuan ata debatuan për atë që pretendojnë se ka ndodhur në të kaluarën. Viktima ka tentuar t’i qetësojë, por ka ndodhur një sherr, i cili ka sjellë plagosjen fatale të 28-vjeçarit.