Abuzimi me fondet e BE, SPAK sekuestron disa pasuri të Ilir Beqajt dhe personave të akuzuar

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive që i përkasin ish ministrit të Shëndetësisë dhe personave të akuzuar me të për shpërdorimin e fondeve të BE, përmes agjencisë SASPAC.

Beqaj u arrestua më 4 korrik, ndërsa Gjykata nuk pranoi garancinë e tij për ta liruar me kusht.

Sipas dosjes së SPAK, gjatë kohës që Ilir Beqaj ishte në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), kanë qenë të paktën 8 raste, ku Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë paracaktuar fituesin e tenderit që do të bëhej. Në të gjitha rastet fitues ka dalë restoranti i Ilir Beqajt ‘Gzona’ që ndodhet tek kalaja e Tiranës.

Përveç kësaj, SPAK ka zbuluar se Beqaj ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin e sipërmendur që nga krijimi e deri në vazhdim. Ish ministri, interesat e tij pasurore mbi ketë restorant i ka ushtruar përmes Ermal Kurtulajt, i cili ishte administratori, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Gjithashtu ish-ministri ka fshehur edhe blerjen e një automjeti të blerë në vitin 2019 në emër të Kurtulajt, pasuri e cila u sekuestrua nga SPAK.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal nr. 190, të vitit 2023, lidhur me veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/ apo në vlerën ekuivalente të tyre.

 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:

  1.  14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
  2.  15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
  3.  42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;

 Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., Elton Martini; I.B., Ermal Kurtulaj., Bjona Ziaj., Bledar Leka; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim;

  1. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisëtregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
  2. Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim Ermal Kurtulaj dhe Elton Martini.

 Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e  këtyre vendimeve.

 Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.