A po bëhemi shoqëri më e brishtë dhe drejt kolapsit?

Nga Luke Kemp “BBC”

Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha, është një klishe e historisë. Ideja se qytetërimet, shtetet apo shoqëritë ngrihen dhe bien është më se e zakonshme. Por a është e vërtetë ajo? Unë, së bashku me grup arkeologësh, historianësh dhe shkencëtarësh, vendosëm që ta vëmë në provë këtë ide.

Ne kryem studimin më të madh që është realizuar deri më sot, për të parë nëse plakja e një shoqërie mund të shihet në të dhënat historike. Rezultatet tona, të botuara në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”, sugjerojnë se shtetet plaken, duke e rritur gradualisht dhe me kalimin e kohës probabilitetin që një ditë të shkatërrohen.

A ofron historia leksione për shoqëritë e sotme? Përkufizimi mbi ato që quhen  qytetërime apo shoqëri është i ndërlikuar. Madje i pari, bart shpesh konotacione të pakëndshme. Ndaj ne e kufizuam analizën tonë tek “shtetet” para-moderne:pra tek organizatat e centralizuara që zbatojnë rregulla mbi një territor dhe popullsi të caktuar (ashtu si sot shtetet e SHBA-së dhe Kinës).

Më pas shfrytëzuam një qasje statistikore bazuar tek 2 baza të ndryshme të dhënash. Kështu  krijuam grupin tonë të të dhënave të “vdekshmërisë së shteteve” (Moros, sipas Perëndisë greke që sillte katastrofën), që përmban 324 shtete përgjatë 3000 viteve (nga viti 2000 Para Krishtit deri në vitin 1800 Pas Krishtit).

Kjo listë u përpilua duke u bazuar tek shumë baza të tjera të dhënash, një enciklopedi mbi perandoritë, por edhe shumë burime të tjera. Po ashtu, ne përdorëm bankën e të dhënave Sehat, më e madhja në internet mbi informacionin, e hartuar nga arkeologë dhe historianë, që përmbante 291 shtete aktualë dhe të dikurshëm.

Qasja jonë përdori një teknikë të quajtur “analiza e mbijetesës”. Ne përpiluam një listë bazuar tek jetëgjatësia e këtyre shteteve, dhe analizuam përhapjen e tyre. Nëse nuk ka një efekt plakjeje, atëherë mund të presim një shpërndarje “pa moshë’, në të cilën gjasat për fundin e një gjendjeje janë të njëjta, si në vitin 1 ashtu edhe në vitin 100.

Një studim i mëparshëm mbi 42 perandori, zbuloi pikërisht këtë. Por të dhënat tona zbuluan një model tjetër. Në të dyja bazat e të dhënave, u pa se rreziku i fundit të një shteti apo shoqërie, u rrit gjatë 2 shekujve të parë dhe më pas u ul. Gjetjet tona, i bëjnë jehonë një analize tjetër të kohëve të fundit të mbi 168 krizave historike.

Kohëzgjatja mesatare e politikave në kohë krize ishte afro 201 vjet. Tendenca e plakjes ishte aty, edhe kur përjashtuam nga analiza dinastitë. Këto të fundit janë ndërtuar bazuar tek linjat e gjakut familjar dhe priren të jenë më jetëshkurtra, dhe shpesh shpërbëhen për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pasardhësin.

Përpara se një sistem kompleks të nisë të pësojë një ndryshim në shkallë të gjerë në strukturë, apo një “pikë kthese”, shpeshherë ai nis të rimëkëmbet më ngadalë nga krizat. I njëjti mekanizëm si me trupin e plakur të një njeriu:plagët duan më shumë kohë për t’u shëruar në trupin e një të moshuari se një të riu.

Tani kemi dëshmi të një ngadalësimi serioz për 2 grupe të ndryshme historike: fermerët e parë të Evropës neolitike dhe shoqëritë Pueblo të SHBA-së Jugperëndimore. Rreth 4.000-8.000 vjet më parë, fermerët neolitikë u përhapën në të gjithë Turqinë e sotme në Evropë.

Më pas ata përjetuan kriza periodike, në të cilat lindën konfliktet dhe luftërat, të ndjekura nga rënia e popullsisë dhe zonave bujqësore. Ndërkohë shoqëritë Pueblo, përbëheshin nga fermerët që merreshin me kultivimin e misrit. Ata ngritën ndërtesat më të mëdha në SHBA dhe Kanada përpara rrokaqiejve me korniza metalike të Çikagos në vitet 1800. Edhe Pueblianët iu nënshtruan disa cikleve të rritjes dhe tkurrjes, duke përfunduar me krizat e viteve 700, 890, 1145 dhe 1285 Pas Krishtit. Gjatë secilës prej këtyre ngjarjeve, popullsia, sasia e misrit të prodhuar dhe urbanizmi ranë, ndërsa dhuna u shtua.

Mesatarisht, këto cikle zgjatën 2 shekuj, në përputhje me modelin më të gjerë që vumë re. Si për fermerët e parë të Evropës, ashtu edhe për Pueblianët, popullsia u rit më ngadalë nga ngjarjet e rënda si thatësirat pak para kolapsit të tyre. Studimi na ofron shumë leksione.

Së pari, shtete bien në shumë forma. Rënia mund të vijë nga një ndryshim në elitën qeverisëse, si p.sh përmes një grushti shteti të komandantëve ushtarakë. Ose mund të jetë një kolaps shoqëror që përfshin humbjen e qëndrueshme të qeverisë, shkrimit, strukturave monumentale dhe rënies së popullsisë, siç ndodhi në Greqinë mikenase.

Së dyti, të dhënat tona bazohen në datat e fillimit dhe mbarimit, të pranuara gjerësisht në llogaritë historike dhe arkeologjike. Në përgjithësi ato janë të diskutueshme. Për shembull, a mori fund Perandoria Romake Lindore (Bizantine) në vitin 1453 me rënien e kryeqytetit të saj Kostandinopojën, me plaçkitjen e Kostandinopojës dhe ndarjen e territoreve të saj nga kryqtarët në vitin 1204, apo pas një humbje në shkallë të gjerë të territorit në favor të Kalifëve islamikë gjatë shekullit VII-të?

A mund të kenë ndonjë rëndësi, modelet e plakjes së shtetet para-moderne për ato të ditëve të sotme? Ne mendojmë se po. Sepse bota vështirë se është imune ndaj pabarazisë në rritje, degradimit të mjedisit dhe konkurrencës së elitës, që të gjithë faktorë pararendës të kolapseve të shumta gjatë historisë njerëzore.

Në dallim nga shtetet që studiuam, bota e sotme është e shumë më e ndërlidhur dhe e globalizuar. Por ky s’duhet të jetë një shkak për t’u ngushëlluar. Ndërsa një shtet i vetëm bëhet i brishtë dhe në fund bie, kjo zakonisht do të jetë e parëndësishme për botën, por paqëndrueshmëria e një superfuqie si SHBA-ja, mund të shkaktojë një efekt domino përtej kufijve të saj.

Si pandemia e Covid-19, ashtu edhe kriza financiare globale e viteve 2007-2008, kanë treguar se si ndërlidhja mund të përforcojë goditjet gjatë periudhave të krizës. Ne e shohim këtë në shumë sisteme të tjera komplekse .

Ekosistemet e ndërlidhura shumë dendur, tamam si shkëmbinjtë koralorë, janë shumë më të aftë në mbrojtjen kundër goditjeve të vogla. Por nga ana tjetër, ato priren të mbingarkohen dhe të përhapin goditje mjaft të mëdha. Shumica e shteteve të sotme, janë dukshëm të ndryshëm nga perandoritë e shekujve të kaluar.

Prodhimi i industrializuar, aftësitë e mëdha teknologjike, si dhe burokracitë profesionale dhe forcat policore, ka të ngjarë të krijojnë shtete më të qëndrueshme dhe elastike. Por teknologjia jonë bart edhe kërcënime dhe burime të reja cënueshmërie, siç janë armët bërthamore dhe përhapja më e shpejtë e patogjenëve.

Po ashtu, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj inkurajimit të rrënjosjes së regjimeve autoritare apo keqdashëse. Rezistenca dhe jetëgjatësia nuk janë de-fakto pozitive. Megjithatë, ne shpresojmë se një kuptim i historisë afatgjatë, mund të na ndihmojë në shmangien e gabimeve të së kaluarës, përfshirë burimet e mundshme të plakjes së shoqërisë.

Shënim:Luke Kemp, studiues në Institutin Notrë Dam për Studime të Avancuara, dhe bashkëpunëtor i Qendrës për Studimin e Rreziqeve Ekzistenciale në Universitetin e Kembrixhit.