A mund t’i besohet asnjë armëpushimi apo traktati me Rusinë ?!

Nga Mark Temnycky “The Hill”

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të tij të dytë, disa analistë ndërkombëtarë kanë nisur të pyesin se si do të përfundojë lufta. Disa prej kanë shtjelluar arsyet pse sipas tyre Ukraina nuk mund të fitojë. Të tjerë besojnë se lufta po shkon drejt një ngërçi.

Një kategori e tretë, mendon se ndihma për Ukrainën është shumë e kushtueshme. Ndaj ata duan që komuniteti ndërkombëtar të reduktojë ndihmën për këtë shtet të Evropës Lindore.

Duke pasur parasysh këto qëndrime të gabuara dhe të keqinformuara, ata kanë bërë thirrje që Ukraina të detyrohet në një marrëveshje paqeje me Rusinë për të ndalur luftimet.

Ata besojnë se një armëpushim do të shpëtonte jetë njerëzish. Po ashtu, mendojnë se kjo do t’i jepte fund luftës. Së fundi, supozojnë se armëpushimi do të zbatohet. Por që të gjitha këto supozime janë të pasakta. Nëse Ukraina detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi me Rusinë, atëherë historia na tregon se Federata Ruse vetëm sa do të presë që komuniteti ndërkombëtar ta zhvendosë fokusin e tij diku tjetër, përpara se të rigrupojë forcat e saj dhe të nisë një pushtim tjetër.

Dhe kjo do të çonte në një konflikt edhe më të madh dhe më shkatërrues në Evropë. Ky nuk është një skenar dhe aq i largët. Gjatë dekadave të fundit, Rusia ka shkelur në mënyrë të përsëritur armëpushimet dhe traktatet, deri në pikën që tani nuk mund t’i besohet më se do të respektojë ndonjë angazhim.

Asgjë në sjelljen e Rusisë, nuk sugjeron se ajo është e besueshme apo se do të mbështesë marrëveshjet me Ukrainën. Në fakt, historia ka treguar të kundërtën. Për shembull, rikujtojmë Marrëveshjet e Minskut. Gjatë pushtimit të parë rus të Ukrainës në vitin 2014, forcat ruse hynë në Donbas dhe pushtuan disa pjesë të Luhanskut dhe Donetskut.

Disa muaj më vonë, Ukraina dhe Rusia u ulën në një tryezën me ndërmjetësimin e OSBE-së për të zgjidhur konfliktin. Marrëveshjet e Minskut, përfaqësonin një përpjekje për të “siguruar një zgjidhje paqësore” të konfliktit të Donbasit.

Për vite me radhë, përfaqësuesit ukrainas dhe rusë u takuan me anëtarët e OSBE-së për të diskutuar mbi situatën. Ata u fokusuan në uljen e tensioneve në rajon. Megjithatë, Moska i shkelte vazhdimisht armëpushimet. Federata Ruse refuzoi të tërheqë trupat dhe pajisjet e saj ushtarake nga rajonet e pushtuara në Donbas, dhe kjo prodhoi tensione më të mëdha.

Në fillim të shkurtit 2022, Rusia i kishte thyer plotësisht protokollet. Ajo i shpalli si autonome rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën Lindore dhe 3 ditë më vonë, nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë. Konflikti i Donbasit nuk ishte i pari, ku Rusia ka shkelur në mënyrë flagrante një armëpushim, për të cilin kishte rënë dakord më herët.

Gjatë Luftës Rusi-Gjeorgji në gushtin e  2008-ës, Rusia pushtoi provincat gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Qindra njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Kur Federata Ruse i pushtoi këto territore gjeorgjiane, Gjeorgjia kërkoi ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

U ndërmjetësua dhe u arrit një armëpushim, por më pas Rusia e theu atë duke refuzuar tërhiqej nga rajonet e pushtuara nga Rusia në Gjeorgji. Rusia vazhdon ende sot të mbajë të pushtuar Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, një dëshmi kjo e mungesës së shqetësimit apo respektit të saj për armëpushimet.

Por përtej armëpushimeve, Rusia ka thyer disa norma të vjetra të organizatave ndërkombëtare, ndaj të cilave ka detyrime pasi është anëtare. Për shembull, sipas nenit 2, seksioni 4 të Kartës së Kombeve të Bashkuara “të gjithë anëtarët duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”.

Rusia e ka shkelur vazhdimisht këtë pjesë të Kartës së OKB-së, duke pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008, dhe më pas Ukrainën në vitet 2014 dhe 2022. Për t’u ndëshkuar, Rusia u pezullua nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por ky sanksion ishte qesharak.

Edhe organizata të tjera ndërkombëtare e kanë dënuar Rusinë për shkeljen e rregullave të tyre. Për shembull, Asambleja Parlamentare për Këshillin e Evropës (PACE), është një organizatë që synon “të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin”.

 Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, PACE vendosi të përjashtonte Federatën Ruse. Organizata të tjera, si FIFA, UEFA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, e kanë pezulluar Rusinë, po për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Së fundi, përveç shkeljes së armëpushimeve dhe të statuteve të organizatave ndërkombëtare, Rusia ka shkelur edhe shumë traktate ndërkombëtare. Për shembull, Moska shkeli vitin e kaluar Traktatin NEW START, duke refuzuar të lejojë inspektimet në terren të armëve të saj bërthamore.

Po ashtu, Federata Ruse refuzoi kërkesën e SHBA-së për të diskutuar shqetësimet mbi këto shkelje. Ndërkaq është zbuluar se Federata Ruse ka shkelur edhe Traktatin mbi Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) duke vendosur në gatishmëri një rakete të paligjshme që fluturon në rrezet e ndaluara nga Traktati INF.

Rusët i hodhën poshtë këtu akuza, por kur u pyetën refuzuan t’i ndërpresin këto operacione. Kohët e fundit, Rusia u tërhoq nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë. Marrëveshja vendoste kufizime gjithëpërfshirëse për disa lloje pajisjesh ushtarake konvencionale në kontinent.

Kur u pyetën mbi këtë tërheqje, zyrtarët rusë u përgjigjën shkurt se traktati “nuk po i shërbente interesave të Rusisë ”. Ky vendim është shumë i pamatur dhe do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet tashmë të brishta midis Rusisë dhe Evropës.

Në përgjithësi, Federata Ruse ka një histori të gjatë të shkeljes së armëpushimeve, marrëveshjeve të organizatave ndërkombëtare dhe traktateve. Ato tregojnë se Federata Ruse nuk ka aspak respekt për normat dhe rregulloret ndërkombëtare, ndaj nuk ka asnjë besueshmëri si palë në rastin e lidhjes së marrëveshjeve.

Për këtë arsye, Ukraina nuk mund të detyrohet nga aleatët që të nënshkruajë një armëpushim me Rusinë. Historia ka treguar jo pak herë se Rusia nuk i kushton aspak vëmendje marrëveshjeve të tilla. Madje mund të thuhet se ato nuk u përgjigjen interesave të Ukrainës. Në këto kushte, mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, është përmes humbjes së Rusisë në fushën e betejës. Siç e tregon historia, çdo rezultat tjetër do të çojë vetëm në vdekje dhe shkatërrim të mëtejshëm në Evropë dhe Ukrainë.