A ka ekzistuar vërtet njeriu me dy fytyra?

https://allthatsinteresting.com/edward-mordrake

Eduard Mordrejk ishte një anglez i shekullit XIX-të i lindur me një fytyrë shtesë në pjesën e pasme të kokës, Ose të paktën kështu pretendojnë legjendat. Më 8 dhjetor 1895, gazeta amerikane “Boston Sunday Post” botoi një artikull me titull “Mrekullitë e shkencës moderne”. Artikulli paraqiste raporte nga e ashtuquajtura “Shoqëria Shkencore Mbretërore”, e cila dokumentonte ekzistencën e “frikërave njerëzore”. Dhe në këtë listë përfshiheshin një sirenë, një gaforre me pamje njeriu dhe një burrë fatkeq i quajtur Eduard Mordrejk që kishte lindur me një anomali shumë të rrallë: kishte jo një por dy fytyra.

Megjithëse Boston “Sunday Post” dhe enciklopedia e vitit 1896 “Anomalitë dhe Kuriozitetet e Mjekësisë” rrëfejnë historinë e Eduard Mordrejk, anglezit të lindur me dy fytyra, nuk ekziston asnjë provë tjetër e fortë. Deri më sot, shumë njerëz mendojnë se kjo histori në fakt është një mashtrim.

Por ka edhe nga ata që mbeten të bindur. Siç raportonte “Boston Sunday Post”, Eduard Mordrejk ishte një anglez i ri fisnik, inteligjent dhe me një pamje simpatike, si dhe një “muzikant me aftësi të rralla”. Por me të gjitha bekimet e tij të mëdha erdhi edhe një mallkim i tmerrshëm.

Përveç fytyrës së tij të bukur dhe normale, Mordrejk kishte një fytyrë të dytë të tmerrshme në pjesën e pasme të kokës. Thuhej se fytyra e dytë ishte “e bukur si një ëndërr, dhe e tmerrshme si një djall”. Kjo fytyrë e dytë e çuditshme zotëronte gjithashtu një inteligjencë “keqdashëse”.

Sa herë që Mordrejk qante, fytyra e dytë nga pas “buzëqeshte dhe e tallte”.

Mordrejk u sfilit vazhdimisht nga “binjaku i tij djallëzor”, që e mbante gjithë natën zgjuar duke pëshpëritur “gjëra të tilla për të cilat flitet vetëm në Ferr”. Në fund fisniku i ri u çmend dhe vrau veten në moshën 23-vjeçare, duke lënë pas një shënim që kërkonte që fytyra e keqe të shkatërrohej pas vdekjes së tij, “që të mos vazhdojë më pëshpëritjet e saj të tmerrshme në varrin tim”.

Historia e burrit me dy fytyra u përhap me shpejtësi në të gjithë Amerikën. Publiku kërkoi më shumë detaje rreth Mordrejk. Madje edhe profesionistët e mjekësisë nisën të bënin hulumtime pa asnjë shenjë skepticizmi. Në 1896, mjekët amerikanë Xhorxh M.Gulld dhe Uollter Pajll e përfshinë historinë e Mordrejk në librin e tyre “Anomalitë dhe kuriozitetet e mjekësisë”, një koleksion rastesh të veçanta mjekësore.

Edhe pse ata ishin okulistë në profesion dhe me praktika të suksesshme mjekësore, në këtë rast doli se ishin shumë të verbër. Sepse historia e Eduard Mordrejk ishte e rreme. Alejks Boset, drejtues i logut të njohur “Muzeu i Mashtrimeve”, thotë se autori i artikullit origjinal në “Boston Sunday Post”, Çarls Hilldreth, ishte një poet por edhe shkrimtar i trillimeve shkencore.

Historitë e tij prireshin drejt asaj fantastikes dhe të botës tjetër, në krahasim me artikujt e bazuar tek realiteti. Natyrisht, vetëm për shkak se dikush shkruan zakonisht trillime, nuk do të thotë domosdoshmërisht se çdo gjë që ata shkruajnë është e rreme. Megjithatë, ka shumë të dhëna që sugjerojnë se historia e Mordrejk është krejtësisht e sajuar.

Së pari, artikulli i Hilldreth citon “Shoqërinë Shkencore Mbretërore” si burimin e tij për rastet e shumta të çuditshme mjekësore. Por një organizatë me këtë emër nuk ekzistonte në shekullin  XIX-të. Shoqëria Mbretërore e Londrës ishte një institucion shkencor shekullor, por në botën perëndimore nuk kishte asnjë organizatë që të ishte edhe “Mbretërore” dhe “Shkencore”. Megjithatë, ky emër mund t’u ketë tingëlluar i besueshëm njerëzve që nuk jetonin në Angli – gjë që mund të shpjegojë arsyen pse kaq shumë amerikanë ranë në dashuri me historinë e njeriut me dy fytyra.

Së dyti, e gjithë baza e të dhënave e Shoqërisë Mbretërore të Londrës është e disponueshme në internet, dhe Beset nuk ishte në gjendje të gjente asnjë nga anomalitë e Hilldreth në arkivat e saj: nga Merimanga Norfolk (me një kokë njeriu me trupin leshtor e me 6 këmbë) tek Fish Woman of Lincoln (një krijesë e ngjashme me një sirenë deti).

“Kur e kuptojmë këtë, atëherë bëhet e qartë se artikulli i Hildrethit ishte trillim. E gjitha buroi nga imagjinata e tij, përfshirë edhe Eduard Mordrejk”- shkroi Beset. Siç mund të imagjinohet, shumë gazeta në fund të shekullit XIX-të nuk i përmbahesin të njëjtave standarde editoriale si sot.

Edhe pse ishin ende burime jetike informacioni dhe argëtimi, ato ishin gjithashtu të mbushura me përralla të trilluara që paraqiteshin sikur të ishin reale. Në fund të fundit, historia e Hilldreth mbi një burrë me dy fytyra nuk ishte domosdoshmërisht një gazetari e papërgjegjshme.

Ajo ishte thjesht një përrallë e shkruar në një mënyrë mjaftueshëm bindëse për të mashtruar disa mjekë, dhe për të qëndruar për më shumë se një shekull në imagjinatën e publikut. Hilldreth vdiq vetëm disa muaj pasi u botua artikulli i tij, ndaj ai nuk arriti të shihte se sa shpejt amerikanët u mashtruan nga ajo që shkroi.

Historia e Mordrejk fitoi sërish popullarit kohët e fundit, pjesërisht falë serialit televiziv American Horror Story. Skenaristët e tij duhet jenë frymëzuar jo pak nga artikulli origjinal i “Boston Sunday Post”. Një foto që supozohet se përshkruan mbetjet e kokës së Mordrake u bë virale në vitin 2018.

Por si të gjitha të tjerat, ajo është larg të qenit origjinale. Kafka e tmerrshme e ngjashme me figurën mitologjike Janus, është në fakt, vetëm imagjinata e një artisti se si mund të dukej Eduard Mordrejk nëse do të ekzistonte vërtet.

Gjendja mjekësore e njohur si “dublim kraniofacial” – rezultat i një shprehje jonormale të proteinave – mund të shkaktojë dyfishimin e tipareve të fytyrës së një embrioni. Ajo është jashtëzakonisht e rrallë dhe zakonisht vdekjeprurëse. Megjithëse ka disa raste të dokumentuara së fundmi të foshnjave që kanë arritur të mbijetojnë për një kohë të shkurtër me këtë mutacion.

Për shembull, Lali Singh lindi me këtë gjendje në Indi në vitin 2008. Megjithëse Singh nuk jetoi gjatë, nuk besohej se ajo mallkohej si Mordrejk.

Në fakt, banorët e fshatit të saj menduan se ajo ishte një mishërim i perëndeshës hindu Durga, e cila tradicionalisht portretizohet me gjymtyrë të shumtë. Pasi foshnja e gjorë vdiq kur ajo ishte vetëm disa muajshe, fshatarët ndërtuan një tempull për nder të saj.