Harta e Atanasius Kirsherit e krijuar rreth vitit 1669, e tregon qytetin e humbur në mesin e Oqeanit Atlantik. Në këtë hartë ka shumë “qytete të humbura”, por asnjë nuk është më i famshëm se Atlantida. E përmendur fillimisht nga filozofi grek, Platoni, Atlantida ka shërbyer si një alegori e mendjemadhësisë së kombeve të mëdha dhe e pasojave fatale që vijnë si rezultat i saj.
Por a ishte e vërtetë Atlantida? Platoni shkroi se Atlantida kishte qenë dikur një perandori e fuqishme detare. Ajo dominoi pjesën më të madhe të botës perëndimore, përpara se të humbte pëlqimin e Zotave dhe të zhytej në ujërat e Oqeanin Atlantik.
Edhe pse shumë historianë pretendojnë se përshkrimet e Platonit mbi Atlantidën, ishin thjesht një trillim që synonte vetëm të ilustronte argumentet kryesore të veprave të tij “Kritia” dhe “Timaeusi”, kjo nuk e ka ndalur qarkullimin e spekulimeve, teorive të konspiracionit dhe legjendave për qytetin e humbur.
Edhe sot shumë njerëz pyesin:A ka ekzistuar vërtet Atlantida? Ja çfarë na tregon historia.
Ndërsa tregimet moderne mbi Atlantidën, e përshkruajnë shpesh atë si një shoqëri utopike të humbur prej shekujsh, versioni i Atlantidës në dialogët e Platonit ishte gjithçka tjetër veçse jo utopike.
Në dialogjet e tij, Platoni citon një athinas të quajtur Solon – një nga shtatë të urtët e Greqisë – i cili kishte kaluar disa kohë në Egjipt, midis viteve 590 dhe 580 Para Erës Sonë, duke pretenduar se atje kishte dëgjuar për herë të parë mbi Atlantidën.
Sipas Platonit, Soloni gjeti shënime egjiptiane që flisnin për Atlantidën, të cilat më pas i përktheu në greqishten e vjetër. Tek “Timaeusi”, Platoni e përshkruan Atlantidën si “më të madhe se Libia dhe Azia të marra së bashku; dhe ka të ngjarë që udhëtarët e asaj kohe të kenë kaluar prej saj në ishujt e tjerë, dhe nga ishujt në të gjithë kontinentin përballë tyre”.
Kështu, Platoni e përshkruan strukturën drejtuese të atij qytetërimi si “një konfederatë mbretërish, me një fuqi të madhe, dhe që sundonte mbi të gjithë ishullin”. Ky detaj është i një rëndësie të veçantë, pasi përfaqëson një shoqëri krejt të ndryshme nga demokracia e lashtë e Athinës.
Tek “Kritia”, Platoni e zgjeron më tej historinë e Atlantidës, duke nënvizuar se Athina e lashtë përfaqësonte “shoqërinë e përsosur”, të cilën ai e detajoi tek “Republika”, ndërsa Atlantida ishte në kontrast të drejtpërdrejtë me të. Ai shpjegoi më tej se kombi ishullor i ishte lënë trashëgim Poseidonit, i cili më pas ra në dashuri me një grua të quajtur Kleito.
Të dy patën 5 çifte binjakësh meshkuj, më i madhi prej të cilëve quhej Atlas. Platoni thotë se Oqeani Atlantik u emërtua sipas tij, dhe Atlasi u bë mbreti i Atlantidës. Mbretëria u forcua dhe filloi të zgjerohej, duke çuar në shpërthimin e luftës midis atlanteanëve dhe athinasve.
Atlantida kishte pushtuar tashmë pjesë të Libisë, kontinentit evropian dhe toka deri në Egjipt. Por athinasit bënë një rezistencë të suksesshme dhe i çliruan tokat e pushtuara. Në vazhdën e atij konflikti, Platoni shkroi se “pati tërmete të fortë dhe përmbytje; dhe brenda një ditë dhe një natë Atlantida u zhduk në thellësitë e detit”.
Kjo supozohet se ka ndodhur 9000 vjet para kohës kur jetoi vetë Platoni. Shumë historianë bien dakord, se ky i fundit e trilloi enkas këtë histori, që të ishte si një përrallë paralajmëruese, kryesisht për faktin se shkrimet e tjera të asaj kohe nuk e përmendin qytetin e humbur.
Por gati 2000 vjet pasi Platoni shkroi për herë të parë për Atlantidën, legjenda u bë sërish popullore. Në vitin 1882, ish-kongresmeni amerikan Injacio Donelli botoi librin me titull “Atlantida:Bota Antediluviane”. Ai pohoi se Atlantida kishte ekzistuar vërtet, por ndryshe nga portretizimi i Platonit, ai kishte qenë një vend “ku njerëzimi i hershëm banoi për shekuj në paqe dhe lumturi”.
Donnelli përshkroi 13 hipoteza rreth Atlantidës, përfshirë atë sipas të cilës përshkrimi i Platonit për Atlantidën ishte i vërtetë, se Atlantida ishte qytetërimi i parë i vërtetë njerëzor, se panteoni grek i perëndive kishte qenë në fakt mbretërit dhe mbretëreshat e kombit ishullor, Atlantidës.
Se ata praktikonin adhurimin e Diellit, dhe se indo-evropianët, popujt semitë dhe racat turaniane vinin që të gjithë nga Atlantida. “Fakti që historia e Atlantidës është cilësuar për mijëra vjet si një përrallë, nuk do të thotë asgjë. Ky një mosbesim që forcohet nga injoranca, si dhe një skepticizëm që buron nga inteligjenca. Njerëzit më të afërt me të kaluarën, nuk janë gjithmonë ata që janë më të informuar për të”-thekson Donelli.
Ai e krahasoi zbulimin e mundshëm të Atlantidës me Pompein dhe Herkulaneum, të cilat dikur konsideroheshin mite dhe “qytetet përrallore”. Dhe në fakt, vetëm 10 vjet përpara se të botohej “Atlantida” e Donellit, arkeologët amatorë Hajrih Shliman dhe Frenk Kalvert pretenduan se kishin gjetur qytetin antik të Trojës, të përshkruar për herë të parë në librin “Iliada” të Homerit.
Edhe pse Donelli nuk paraqiti ndonjë provë të vërtetë që të mbështeste hipotezat e tij, vepra e tij pati shumë ndikim. Shumë teori mbi Atlantidën, burojnë nga idetë e vetë ish-kongresmenit amerikan, dhe puna e tij frymëzoi autorë të tjerë si Xhejms Çërçuord, që shkroi një libër për kontinentin e humbur Mu, të quajtur ndonjëherë Lemuria.
Zbulimi i qyteteve të tjera të fundosura anembanë botës, e ka mbajtur të gjallë shpresën për gjetjen një dite edhe të Atlantidës. Dhe në fakt disa prova arkeologjike, mund ta mbështesin këtë shpresë. Disa zbulime përgjatë shekujve janë lidhur me Atlantidën, si rruga Bimini, një formacion shkëmbor nënujor në brigjet e Biminit të Veriut, të cilin disa e kanë quajtur “rruga drejt Atlantidës”.
Por ka pak prova përfundimtare për të sugjeruar se blloqet e gurit gëlqeror i përkasin qytetit të lashtë. Teori të tjera, e kanë lidhur historinë e Atlantidës me ishullin e Santorinit. Por sipas historianit Kristos A.Djonis, kjo teori bie poshtë, pasi e shpërfill plotësisht kronologjinë e dhënë nga Platoni për vitin 9600 Para Erës Sonë.
Djonis mendon se historia e Atlantidës mund të ketë qenë e lidhur me Ishujt e Cikladeve, që dikur ishin të lidhur nga një pllajë e madhe që sot ndodhet 120 metra nën ujë. Studimet oqeanografike, kanë treguar se oqeanet dhe Deti Mesdhe ishin rreth 120 këmbë më të ulëta se sot në botën e lashtë.
Sipas Djonis, kjo do të thotë se nëse Atlantida do të kishte qenë reale, tani do të jetë nën 120 metra ujë. Dhe bazuar tek kjo, teoria e Ishujve të Ciclades mund të jetë e arsyeshme. Në vend të “zhytjes së menjëhershme” në oqean, siç pretendon Platoni, Djonis argumenton se rritja graduale e nivelit të detit mund të ketë sjellë “përmbytjen e Atlantidës”.
“Sa i përket banorëve të atij ishulli prehistorik, studimet e fundit të ADN-së nga Universiteti i Uashingtonit, arriti në përfundimin se pasi filloi të ngrihej niveli i detit në Mesdhe, për t’i shpëtuar përmbytjes, disa nga ata njerëz migruan deri në ishullin e Kretës”- shkruan Djonis. Ata krijuan atje qytetërimin Minoan, ndërsa ish-atlanteanët e tjerë u rishfaqën si mikenas dhe egjeas. Por dëshmitë përfundimtare të Atlantidës nuk janë zbuluar ende.