A janë retorike apo reale kërcënimet e fundit të Koresë së Veriut?

Nga John Feffer “Responsible Statecraft”

Lufta e Koresë përfundoi më shumë se 70 vjet më parë, dhe që nga ajo kohë në gadishull ka mbretëruar një paqe e tensionuar. Dy Koretë kanë shkëmbyer herë pas herë të shtëna artilerie, dhe kanë sfiduar njëra-tjetrën në arenën ekonomike dhe diplomatike.

Madje kanë dërguar fshehtazi spiunë në territorin e njëra-tjetrës. Por deri më sot, kërcënimet për një rifillim të konfliktit, që kanë ardhur kryesisht nga Koreja e Veriut vitet e fundit, kanë qenë kryesisht retorike. Fuqia e madhe e zjarrit që zotëron ushtria e Koresë së Jugut, e mbështetur nga një pakt mbrojtjeje me SHBA-në, e kanë frenuar Phenianin.

Ndërkohë numri i madh i ushtarëve të ushtrisë ë Koresë së Veriut, i mbështetur nga një arsenal i vogël bërthamor por operacional, e kanë frenuar nga ana tjetër edhe Seulin që të sulmojë i pari. Por sot kufijtë nuk duken dhe aq të paprekshëm sa dikur.

Rusia ka pushtuar Ukrainën, Izraeli ka dërguar forca në Gaza, madje edhe Venezuela ka lënë të kuptohet kohët e fundit se po mendon pushtimin e Guajanës. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar kohët e fundit objektiva të ndryshëm jashtë vendit, nga ato të rebelëve Huthi në Detin e Kuq, dhe deri tek komandantët iranianë në Siri.

Nën këtë sfond gjeopolitik, a janë ende retorike kërcënimet e fundit që vijnë nga Pheniani?

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po shfaqet gjithnjë e më shumë i ashpër dhe luftarak në deklaratat e tij publik. Në pushtet që nga vdekja e babait të tij në fundin e vitit 2011, ai ka qenë jo pak i kufizuar nga një krizë e rëndë ekonomike dhe kundërshtarët e pa kompromis që ka jashtë vendit.

Në fillim të sundimit të tij, norma e rritjes së ekonomisë së Koresë së Veriut nuk ishte shumë e keqe. Por që nga viti 2017, trajektorja ka qenë me drejtim nga poshtë, me një tkurrje të madhe prej 4.1 për qind vetëm në vitin 2018, e pasuar nga një rënie e mëtejshme prej 4.5 për qind gjatë vitit pandemik 2020.

Sanksionet ndërkombëtare e kanë bërë shumë të ndërvarur Korenë e Veriut nga Kina për tregti. Dhe kjo shpjegon pjesërisht edhe interesin aktual të Kim Jong Un për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. Ndërkohë, të dy liderët që premtuan dikur një formë bashkëpunimi me Phenianin – Moon Jae-in i Koresë së Jugut dhe Donald Trump – nuk janë aktualisht në detyrë.

Qeveria aktuale e Koresë së Jugut, është shumë e ftohtë ndaj idesë së bashkëpunimit me liderin koreano-verior. Ndërkohë, i fokusuar tek një sërë sfidash të tjera të politikës së jashtme nga Ukraina në Gaza, Joe Biden nuk ka shprehur shumë interes për të shpenzuar kapital politik në një sipërmarrje të rrezikshme, siç janë negociatat me Phenianin.

Dështimi i Uashingtonit për të vazhduar afrimin me Korenë e Veriut, është arsyeja kryesore pse vëzhguesit e veteranë të Koresë së Veriut Robert Karlin dhe Sigfrid Heker, besojnë se Kim Jong Un e ka braktisur qasjen e bashkëjetesës pak a shumë paqësore, dhe është më shumë në favor të nisjes së një sulmi ushtarak kundër Koresë së Jugut.

Në një farë mënyre, Kim po ndjek logjikën e Hamasit, një forcë jo-liberale që është gjithashtu në krye të një entiteti kryesisht të dështuar. Edhe Kim i percepton kundërshtarët e tij si të vetëkënaqur, të pa interesuar për negociatat reale, dhe të prekshëm ndaj një sulmi të befasishëm. Duke udhëhequr një “burg në ambient të hapur” në Gaza, Hamasi arriti në përfundimin se nuk kishte asgjë për të humbur. Edhe udhëheqja e Koresë së Veriut, në krye të një vendi të varfër dhe me një rekord të tmerrshëm të shkeljes së të drejtave të njeriut, mund të ketë vendosur se ka mbetur pa opsione të tjera.

 “Rekordet historike mbi sulmet e befasishme, duhet të na bëjë të kujdesshëm ndaj supozimeve komode që vërehen këto kohë në Uashington, por që mund të mos përputhen me atë që kanë në mendje zyrtarët në Phenian”- shkruajnë Karlin dhe Heker në 38North.

“Në pamje të parë ky skenar mund të duket si një çmenduri. Por historia na tregon se ata që e kanë bindur veten se nuk kanë alternativa të mira, do të mendojnë se ia vlen të niset edhe loja më e rrezikshme”- nënvizojnë ata.

Karlin dhe Heker, nuk kanë të dhënat që zotëronte komuniteti i inteligjencës izraelite një vit para sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi. Pra një përshkrim të detajuar të përgatitjeve për të ndërmarrë një sulm të befasishëm. Ata po mbështeten tek deklaratat zyrtare të Koresë së Veriut që e shmangin ribashkimin e gadishullit, si dhe tek një ndryshim kushtetues që tani e identifikon Korenë e Jugut si një kundërshtare dhe jo me sloganin e dikurshëm “tanil minjok” (një popull, një gjak).

Këtë javë, raportet e bazuara tek imazhet satelitore treguan shkatërrimin e Monumentit të famshëm Tre Parimet e Ribashkimit Kombëtar në Phenian, që është quajtur gjithashtu edhe si Harku i Ribashkimit. Kim e quajti “një halë në sy” dhe urdhëroi prishjen e tij.

Po ashtu, Koreja e Veriut ka kryer së fundmi një sërë testesh raketore, përfshirë ato hipersonike, si dhe stërvitje ushtarake pranë kufirit detar, të cilat duket se synojnë enkas që të provokojnë një përgjigje nga Jugu. Si analistë të matur dhe me përvojë, Karlin dhe Heker nuk janë shumë të prirur pas mbivlerësimit të fakteve dhe situatave.

Prandaj paralajmërimet e tyre duhet të merren seriozisht. Njëkohësisht, qasja e zakonshme e Koresë së Veriut, kanë qenë bërja e kërcënimeve të forta për të tërhequr vëmendjen e një qeverie amerikane në përgjithësi indiferente, në mënyrë që t’i hapë rrugën një raundi të ri negociatash.

Lëshimet e raketave, testet bërthamore dhe premtimet për ta kthyer Korenë e Jugut në një “det zjarri”, kanë sinjalizuar edhe në të kaluarën jo interesin për luftë, por vendosmërinë për të rifilluar bisedimet e paqes me kundërshtarët e rinj më të vëmendshëm.

Po ashtu Kim, mund të vëzhgojë me kujdes zgjedhjet e prillit në Korenë e Jugut, ku partia opozitare, që është pro një afrimi më të madh me Korenë e Veriut, shpreson të rrisë mbështetjen deri në masën sa të bëhet një shumicë parlamentare. Por edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku ish-presidenti Donald Trump renditet më lart në sondazhe sesa kreu aktual Xho Bajden.

Trump është mburrur prej kohësh me 27 “letrat e dashurisë”, që shkëmbeu gjatë mandatit të tij të parë si president me udhëheqësin e Koresë së Veriut. Kim shpreson që nëse rizgjidhet Trump, mund të vazhdojë edhe ky raport i ngushtë mes tyre. Por kujdes nga ajo që mund të dëshironi. Sepse shumica e analistëve, e keqinterpretuan retorikën asgresive por edhe përgatitjet ushtarake të Vladimir Putinit në fundin e vitit 2021, si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit, dhe për të pasur një pozicion më të mirë negociues në tryezën e negociatave.

Konceptet tradicionale për parandalimin e forcës superiore – si në rastet e Izraelit, NATO-s dhe Koresë së Jugut – mund të mos vlejnë në një botë me liderë gjithnjë e më të paqëndrueshëm dhe me kufij gjithnjë e më të shkelur. Marrëdhënia më e ngushtë e Kim me Putinin, mund të jetë përcaktuese në llogaritjet që do të bëjë Koreja e Veriut.

Tradicionalisht, Pekini është përpjekur të frenojë Phenianin, sepse një fqinj tepër provokues nuk është diçka pozitive për ekonominë kineze, dhe për më tepër e shton praninë ushtarake të SHBA-së në rajon. Nga ana tjetër, Moska mund të jetë duke dërguar mesazhe të ndryshme, duke pasur parasysh qasjen më konfrontuese të Putinit ndaj Perëndimit.

Ashtu siç lufta në Gaza është parë të jetë një ndihmë e madhe për Kremlinin, sepse ka tërhequr vëmendjen dhe zhvendosur pajisjet ushtarake larg Ukrainës, një konflikt në gadishullin Korean do të sillte një zhvendosje akoma më të madhe të burimeve të SHBA-së dhe Evropës.

Në fundin e viteve 1940, Stalini ishte shumë dyshues mbi avantazhet e Koresë së Veriut në një luftë të mundshme ndaj Koresë së Jugut. Por në fund gjyshi i Kim Jong Un, Kim Il Sung, e bindi Stalinin të kundërtën dhe fitoi mbështetjen e sovjetikëve për sulmin ndaj jugut që nisi më 25 qershor 1950.

Ndërkohë Vladimir Putin, ka njoftuar se do ta vizitojë “shumë shpejt” Korenë e Veriut. Do të ketë vizita e tij e para atje që nga viti 2000. Ekspertët dhe politikë-bërësit do të jenë shumë syçelët:vizita e Putinit në Phenian, mund të prishë në një mënyrë a tjetrën ekuilibrin në diskutimet e Koresë së Veriut mbi luftën dhe paqen. Ndërkohë, nuk është ende tepër vonë që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut t’i ofrojnë Kim Jong Un-it një rrugëdalje nga konflikti që ai ende nuk e ka nisur.

Shënim: John Feffer, drejtor i “Foreign Policy In Focus” në Institutin për Studime Politike, SHBA.