Nga Jessica Pearce Rotondi “History.com”
Simbolet e masonëve, kanë qenë objekt i teorive konspirative që nga themelimi i shoqërisë sekrete në shekullin XVIII. Masonët janë persekutuar në Spanjën e Francisko Frankos, në Italinë e Benito Musolinit. Madje madje kanë frymëzuar krijimin e partisë së tretë në histori në politikën amerikane:Partinë Anti-Masonike.
Në qendër të këtij mosbesimi, është përdorimi i simboleve nga Frimasoneria që shumë njerëz thonë se i kanë parë për shekuj me radhë. “Elementi më konfuz për vëzhguesit e jashtëm, është se masonët i morën simbolet historike që i paraprinin tyre, dhe i përdorën ato për të përcjellë diçka të vërtetë rreth masonerisë”- thotë Xhon Diki, autor i librit “Si e ndërtuan frimasonët botën moderne”.
Këto simbole përfshinin piramidat, Tempullin e Solomonit dhe imazhe të shumta të lidhura me vdekjen dhe vdekshmërinë nga kulturat në mbarë botën. “Për shkak të paranojës rreth masonerisë dhe dyshimeve të krijuara nga kodet e saj të fshehta, njerëzit i panë këto simbole dhe filluan të besonin se masonët po dërgonin mesazhe sekrete. Ekziston një besim i përhapur se masonët kanë simbole të fshehura kudo, dhe se ato bartin diçka të keqe”- thotë studiuesi. Rritja e Perandorisë Britanike e përhapi masonerinë në mbarë botën, duke eksportuar bashkë me të edhe frikën e një komploti global. Ja cilat janë 3 simbole të supozuara të masonëve, të cilat gjenden në objekte që mund të shihen nga të gjithë.
Simbolet e masonerisë në kartëmonedhën e dollarit?
Ana e pasme e kartëmonedhës 1-dollarëshe paraqet Vulën e Madhe të Shteteve të Bashkuara. Ajo përfshin një sy që sheh gjithçka, ose Syrin e Providencës, dhe një piramidë që zakonisht besohet të jetë një simbol i fshehtë mason i vendosur atje nga Iluminati.
Por ky është një pretendim i rremë. Etërit Themelues të SHBA-së e shtuan Syrin e Providencës në Vulën e Madhe për të “treguar Zotin që vëzhgon Republikën e Re, e cila përfaqësohej nga piramida (pra që ishte ndërtuar për të rezistuar në kohë) me 13 nivelet e saj (që përfaqësojnë 13 shtetet e para të Amerikës)”- shkruan Diki.
Kur Vula e Madhe u miratua në vitin 1782, “masonët nuk kishin arritur ende ta përfshinin në leksikun e tyre të gjerë të simboleve piramidën dhe syrin që sheh gjithçka” thekson Diki. Vula e Madhe nuk u shtua në kartëmonedhën e dollarit deri në vitin 1935, gjatë një ridizenjimi të kryesuar nga vetë presidenti Frenklin Ruzvelt dhe Sekretari i tij i Bujqësisë, Henri Uollas. Ndërsa të dy burrat ishin masonë të Shkallës 32, ata nuk e përfshinë në kartëmonedhë vulën.
Diki pretendon se Ruzvelt ishte i shqetësuar se përdorimi i vulës do të fyente votuesit katolikë. Prandaj, presidenti shpresonte se mbishkrimi latin, NOVUS ORDO SECLORUM, ose “Rendi i Ri i Epokave, do t‘u kujtonte votuesve Marrëveshjen e tij të Re, që e nxori SHBA-në nga kriza e rëndë ekonomike e viteve 19929-1933.
Simbolet masonike në arkitekturën e qytetit të Uashingtonit?
Në Uashington ka shumë histori masonike, por arkitektura apo fasadat e tij në godinat kryesore, nuk përmbajnë ndonjë mesazh të fshehtë. Gjithsesi simbolet e masonerisë, shfaqen në ambjente publike. Shumë nga Etërit Themelues të SHBA-së ishin masonë, duke përfshirë Xhorxh Uashingtonin.
Kur u ndërtua për herë të parë ndërtesa e Kapitolit, presidenti i atëhershëm Uashington veshi përparësen e tij masonike për të kryer ceremoninë e vendosjes së gurit të parë të themelit, duke e shenjtëruar gurin me verë, misër dhe vaj përpara se ta godiste me një gozhdë ceremoniale.
“Uashingtoni mendonte se Shtetet e Bashkuara, si një republikë e re dhe e pambrojtur, kishin nevojë për atë lloj ceremonie publike të shenjtë, që shtetet e tjera e merrnin nga feja dhe monarkia. Ai mendonte se masonët ishin kandidatë të mëdhenj për atë rol ceremonial publik”- shprehet Diki.
Memoriali Kombëtar Mason i Xhorxh Uashingtonit në Aleksandria në shtetin e Virxhinias, ka një statujë gjigante të Uashingtonit në përparësen e tij masonike. Ajo u zbulua në një ceremoni të veçantë nga presidenti amerikan Herri Truman, edhe ky një tjetër mason.
Shtëpia e Tempullit, selia e Ritit Skocez të Masonerisë, Juridiksioni Jugor, e fton çdo vit publikun e gjerë për një vizitë që kur ajo u hap në vitin 1915 në Uashington. “Asnjë nga praktikat nuk është dashakeqe apo sekrete. Përmes asaj ceremonie, masonët shpallin krenarinë e tyre mbi atë që janë”- thekson Diki.
Simbole masonike në Vatikan?
Disa njerëz, pretendojnë se obelisku në sheshin e Shën Pjetrit mbart simbolika masonike. Por Artur Golduag, autor i librit “Kultet, konspiracionet dhe shoqëritë sekrete”, mohon çdo lidhje midis tyre. “Nuk ka asgjë të vërtetë tek ky pretendim”- thotë ai. Obelisku egjiptian 4000-vjeçar në qendër të Sheshit të Shën Pjetrit, u ndërtua shumë kohë përpara se të themelohej masoneria dhe të sillej në Romë nga perandori romak Kaligula.
Shtyllat rrethuese në shesh, janë më romake në ndikim sesa masonike. Shtyllat masonike evokojnë Tempullin e Solomonit në Dhiatën e Vjetër, duke huazuar kështu një simbol judeo-kristian, dhe jo anasjelltas. “Të besosh se masonët dhe Vatikani janë armiku i përbashkët i njerëzimit, është teoria thelbësore e konspiracionistëve”- thekson Golduag.
Masoneria nuk është një fe, por të gjithë masonët duhet të besojnë në një Zot, megjithëse nuk është specifikuar se çfarë është ky i fundit. Anëtarët e rinj mund të betohen në tekste fetare duke filluar nga Bibla te Kurani. Ritet dhe simbolet e masonëve, janë kopjuar nga shumë fe.
Ky fakt ka shkaktuar zemërimin e disa besimeve fetare, dhe sidomos Kishës Katolike. Në vitin 1738, Kisha Katolike lëshoi një dekret papnor që i shpallte të paligjshëm masonët. Në vitin 1983, Papa deklaroi se “besimtarët që regjistrohen në shoqatat masonike, janë në një gjendje mëkati të rëndë, ndaj nuk mund të marrin Kungimin e Shenjtë”.
Ndaj për të gjetur një mesazh masonik për Kishën Katolike, ju duhet vetëm të shikoni lart në Kodrën Janiculum mbi Vatikan, ku ndodhet një statujë gjigante e Zhuzepe Garibaldit hipur mbi kalë. Garibaldi, një mason i njohur si “babai i pavarësisë së Italisë”, ishte një figurë madhështore për masonët italianë.
“Ai i urrente priftërinjtë, dhe shkroi romane në të cilat klerikët ishin personazhe negativë”-thotë Diki. Kur Italia u ribashkua në një shtet kombëtar në vitin 1860, ajo pretendoi një pjesë të madhe të tokës së Kishës Katolike. Në shenjë hakmarrjeje, Papa i ndaloi katolikët të merrnin pjesë në zgjedhjet që zhvillonte shteti.
Në konfliktin në rritje midis Kishës dhe shtetit, Frimasoneria përjetoi një shtim të anëtarësimeve, duke iu cilësuar si kampione e vlerave laike. Dhe këta të fundit donin t’u dërgonin një mesazh të qartë autoriteteve të Vatikanit. Ndaj në fillim kali dhe kalorësi në përmendore ishin fillimisht me pamje ballore nga selia e Kishës Katolike.
Por në vitin 1929, statuja u kthye në anën e kundërt. “Masoneria është fryt i Iluminizmit. Masonët po rebeloheshin kundër rregullave të rrepta protestante dhe katolike të asaj kohe, dhe po ndiqnin një pikëpamje romantike të njohurive të ndaluara nga e kaluara”- nënvizon Golduag.
Simbolet masonike si Sheshi dhe Busulla , shkronja “G” dhe kosherja e bletëve, mund të gjenden tani të shfaqura haptazi në gurët e varreve dhe në monumente të ndryshme në mbarë botën. Simbolet e përhapura masonike, janë dëshmi se sa larg u përhapën ato ide iluministe.