A është një mit identiteti evropian?              

Nga Ariane Ferrand “Le Monde”                                                      

Filmi “Apartamenti spanjoll” me regji të francezit Sedrik Klapish, doli në kinema në vitin 2002. Ai përshkruan jetën e përditshme, dhe nganjëherë të trazuar të studentëve evropianë që jetojnë në të njëjtën banesë në Barcelonë. Ksavier, francezi naiv që ëndërron të bëhet shkrimtar.

Pastaj është anglezja Uendi, spanjollja Soledad, danezi Lars e kështu me radhë. “Filmi ishte një sukses i madh, pasi mbërriti në kohën e duhur, me një jehonë që shkon përtej tij: Ndarja e një banese, është një metaforë për Evropën. Një mini-Evropë në një apartament”-thotë regjisori.

Ideja mbi këtë film, i lindi qëkur ishte dikur student në Nju Jork:”Kujtoj se ndihesha më i afërt me evropianët e tjerë, dhe kuptova se ndanim shumë vlera të përbashkëta. Duhet të jesh diku tjetër që të ndihesh evropian”. Por a ekziston vërtet ky identitet i përbashkët kulturor, ky evropianitet?

Dhe nëse po, cilët janë kufijtë e tij? Dhe a është identiteti evropian, kryesisht një trashëgimi spontane, apo një e ardhme që do të ndërtohet së bashku mbi bazën e dëshirës reciproke? Kjo çështje, zuri një vend qendror pas rënies së Perdes së Hekurt në vitin 1989, kur vendet e bllokut lindor dolën nga zgjedha sovjetike dhe trokitën në derën e Bashkimit Evropian.

Dhe i tillë mbeti edhe kur Turqia, një kandidate zyrtare që nga viti 1999, aplikoi për anëtarësim në union. Në fakt, nëse mund të përkufizohet me saktësi, evropianiteti i referohet një grupi vlerash dhe idesh, mënyrave të të menduarit të farkëtuara përgjatë shekujve, si dhe ndjenjës së përkatësisë.

Ajo shkon dorë për dore me një ëndërr që e ka përndjekur prej kohësh Evropën:ndërtimin e një shtëpie të përbashkët. Është e qartë se trashëgimia kulturore e përbashkët e evropianëve, është para së gjithash fryt i historisë.

Në vitin 1924, poeti dhe shkrimtari francez Pol Valeri, i gjurmoi themelet e mendimit evropian që në Greqinë e lashtë:“Ne i kemi borxh asaj disiplinën e shpirtit. Një metodë të menduari, që përpiqet t’i lidhë të gjitha gjërat me njeriun, me njeriun e plotë”.

Mendimi i grekëve të lashtë -i Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, i Homerit, Herodotit, Tukididit, Euripidit dhe Sofokliut – pati një ndikim të qëndrueshëm në kontinent, edhe pse duhej të vinte Rilindja që të ri-zbuloheshin këta autorë. Sistemi politik që u ngrit atje midis shekujve VII dhe V Para Krishtit, ishte i destinuar të bëhej paradigma e qeverisjes në Evropë. Gati 2500 vite më vonë, Evropa është padyshim kontinenti ku demokracia është më e rrënjosura, edhe pse është larguar nga modeli grek i demokracisë së drejtpërdrejtë. Evropa e Romës së lashtë, e mbushur me vlerat greke, njihet si një tjetër ndikim i madh.

Prezantimi i ligjeve të shkruara në atë periudhë, ka ndikuar shumë tek shoqëritë evropiane. Shtetësia romake, civitas romana, u jepte njerëzve të drejta dhe liri. Në vitin 212, ajo iu njoh  të gjithë njerëzve të lirë në Perandorinë Romake. Po gjatë epokës së Perandorisë Romake, nisi të përhapej Krishterimi dhe vlerat e tij.

Historiani dhe teologu Zhan-Fransua Kolosimo, shkruan se rënia e Perandorisë Romake dhe pushtimet barbare në shekujt IV-VI të Erës Sonë, shkaktuan një fragmentim të madh dhe një kolaps kulturor. Por që nga viti 1000 e tutje, një kulturë u strukturua rreth një uniteti fetar (Krishtërimit), një uniteti institucional (Papatit), një uniteti gjuhësor (gjuhës latine) dhe një uniteti intelektual (asaj që u bë e njohur si skolasticizëm, filozofia e mësuar në universitetet e Mesjetës).

Më pas në shekujt XII-XIII, u shfaq një tjetër fenomen transnacional:universitetet. I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës në Itali, njihet gjerësisht si universiteti i parë evropian. Ai u pasua nga Oksfordi, Kembrixhi, Salamanka, Sorbona, Praga, Krakovi, Heidelbergu, Luveni, Upsala e kështu me radhë.

Studentët dhe pedagogët udhëtonin nga një universitet në tjetrin. Idetë qarkulluan dhe kështu u farkëtua fryma. Ndërkohë në shekullin XIV, po në Itali lindi humanizmi, që u shndërrua në një lëvizje evropiane të mendimit, e stimuluar nga shpikja e  shtypshkronjës dhe tregtia ndërkombëtare e librit.

Humanizmi, ose humanitas në latinisht, e vendosi arsyen dhe qenien njerëzore në qendër të të menduarit të tij. Ai iu rikthye burimeve të vjetra greko-latine. Kultura e Greqisë së lashtë u ri-zbulua falë eksodit të studiuesve bizantinë të lidhur me pushtimin turk. ​​Aristoteli u përkthye në shekullin XIII, Platoni në shekullin XV.

Gjatë Rilindjes (shek.XIV-XVI), humanizmi u përhap ngado në Evropë, duke çuar në një ripërtëritje të madhe në ide, arte, shkencë dhe politikë. Ndërkohë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, u shfaq një lëvizje tjetër e mendimit, iluminizmi. Kjo ishte Europa e kafeneve dhe e salloneve, vatra e modelimit intelektual.

“Filozofi dhe kritiku letrar Xhorxh Shajner i pa kafenetë si një nga shënjuesit më të sigurt të nocionit të Evropës, nga Kopenhaga në Palermo, nga Lizbona në Odesë”- shkruan historiania Emanuel Lojer, autore e librit “Une brève histoire Culturelle de l’Europe” (Një histori e shkurtër kulturore e Evropës, ​​2017).

Volteri e shihte veten siç edhe shprehej si “hanxhiu i Evropës”, teksa mirëpriste intelektualë dhe artistë nga i gjithë kontinenti, dhe i pëlqente të thoshte se ishte “anglez në Angli, gjerman në Gjermani”. Filozofët u tubuan rreth nocioneve të lirisë dhe të drejtave të njeriut, duke u mbështetur tek arsyeja dhe duke kritikuar obskurantizmin dhe intolerancën.

Ata mishëronin idealin e lirisë individuale dhe përparimit demokratik. Këto ide u përhapën dhe u bënë fara e Revolucionit Francez, i cili gjithashtu pati jehonë në të gjithë kontinentin. Por ndërsa ka vërtet një histori të përbashkët dhe shkëmbim idesh dhe vlerash të përbashkëta në Evropë, ky identitet nuk është një bllok i ngurtë dhe uniform.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj iluzionit të vazhdimësisë midis këtyre momenteve historike”-thekson Kolosimo. Uniteti evropian i shekullit XI-të do të prishej shpejt, me daljen në skenë të monarkive kombëtare nga fundi i shekullit XIII, deri në monarkitë absolute të shekullit XVII.

Pra ‘shekulli i latinishtes’ u zëvendësua nga gjuhët popullore, dhe u rrit konkurrenca midis kombeve, në aspektin fetar dhe atë politik. Reforma protestante e ndau më tej Evropën, me një veri protestant dhe një jug që mbeti katolik. Me zhvillimin e shteteve-kombe, u kalua një prag i ri në drejtim të afirmimit kombëtar.

“Midis fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX-të, kombet moderne u ndërtuan sipas një procesi të përbashkët, duke kopjuar pjesërisht njëri-tjetrin, në punishten e madhe të ndërtimit të kombeve që ishte bërë Evropa. Në fazën e fundit, në shekullin XX-të, nacionalizmi i shfrenuar i shtyu evropianët të vrisnin njëri-tjetrin thotë Lojer.

Por ndërsa ndarjet evropiane kanë pasur disa efekte dramatike, të tjerat kanë rezultuar të dobishme. Sepse konkurrenca e lejon imitimin. Ajo i ka dhënë Evropës, ose të paktën ka nxitur, një kapacitet të paprecedentë për rinovim, revolucion, autokritikë dhe vënie në dyshim të traditave të saj.

Por nëse ka unitet pavarësisht ndarjeve, mbetet pa përgjigje një pyetje:Ku përfundon pellgu kulturor evropian? Është e qartë se ai nuk ndjek saktësisht ndarjen aktuale politike, dhe qarkullimi i ideve të përshkruara deri më tani, ka qenë kryesisht ai i Evropës Perëndimore.

Por në vitin 1983, romancieri çekosllovak Milan Kundera, pohoi në esenë e tij “Një Zot i rrëmbyer:Tragjedia e Evropës Qendrore”, se ndonëse Evropa Qendrore ishte nën kontrollin rus që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, popujt e saj i përkasin kulturalisht Perëndimit.

Që në vitin 1713, mendimtari iluminist Ebi Dë Shën-Pier, bëri thirrje për krijimin e një federate evropiane. Viktor Hygo ndoqi hapat e tij, duke folur për Shtetet e Bashkuara të Evropës. “Do të vijë një ditë kur Franca, Rusia, Italia, Anglia, Gjermania, të gjithë ju, kombe të këtij kontinenti, pa humbur cilësitë tuaja të veçanta dhe individualitetet, do të bashkoheni në një entitet superior dhe do të formoni vëllazërinë evropiane”-deklaroi ai në Kongresin e Paqes në vitin 1849.

Në vitin 1929, Aristid Brian, në atë kohë kreu i qeverisë franceze, u propozoi evropianëve ndërtimin e “një lloj lidhjeje federale”. Po apeli i ri kaloi pa u vënë re, dhe u desh edhe Lufta e Dytë Botërore që projekti evropian të merrte më në fund formë. Ndërsa ekonomia ka luajtur një rol qendror në këtë zhvillim, komuniteti ka reflektuar edhe mbi identitetin e tij. Trashëgimia e përbashkët u përfshi në Traktatin e Lisbonës (2007), i cili i referohet “rrënjëve kulturore, fetare dhe humaniste të Evropës” si burim frymëzimi për ndërtimin e komunitetit.

Po fala “rrënjë” është e rrezikshme, sepse në histori nuk ka vetëm një rrënjë por gjithmonë disa të tilla. Për shembull nuk duhen harruar kontributet e pranisë myslimane në Spanjë për shekuj me radhë, por edhe të pushtimit osman të Ballkan. Aq më tepër që shteti dhe feja, shtetësia dhe besimi janë shkëputur gradualisht në kontinent, nën efektin e dy faktorëve: laicizmit, i përcaktuar nga ndarja e politikës nga feja, dhe shekullarizimit, i karakterizuar nga një humbje e ndikimit fetar në shoqëri.

Ligjërisht, kriteret zyrtare për anëtarësimin në union, të përcaktuara në Kopenhagë në vitin 1993, kanë të bëjnë më pak me një trashëgimi kolektive, dhe më shumë me dëshirën për një të ardhme të bazuar tek solidariteti dhe respektimi i disa standardeve ligjore.

BE-ja preferoi të ndërtohej më shumë rreth sundimit të ligjit, sesa ekonomisë dhe identitetit. Por sot këto të drejta janë nën kërcënim. Të paktën, kështu tha së fundmi Makron në Sorbonë. Nga ana tjetër, këto vlera themeltare nuk ndahen në mënyrë uniforme.

Për shembull Hungaria dhe Polonia, janë kritikuar për lëvizjet e tyre jo-liberale, dhe akuzohen për minimin e sundimit të ligjit dhe lirive individuale. Por vlerat dhe ligji mbeten abstraksione. Për të krijuar vullnetin për të jetuar së bashku dhe për të zbatuar projektin evropian, nevojiten veprime më konkrete. Të ndërtosh sot Evropën rreth sundimit të ligjit, do të thotë t’i japësh asaj një formë hapjeje.