A duhet të kenë kombet të drejtën për të pushtuar?

Nga David A.Bell “Unherd”

Dy dëbimet ndodhën vetëm disa vite larg njëri-tjetrit. Në të parin, duke filluar nga viti 1945, Bashkimi Sovjetik organizoi dëbimin e 12 milionë gjermanëve etnikë nga territoret që më parë i përkisnin Gjermanisë. Ata përfunduan kryesisht në atë që u bë Gjermania Perëndimore, ndërsa vendin e tyre e zunë çekët dhe polakët.

Në dëbimin e dytë, në vitet 1948-49, shteti i porsalindur i Izraelit, dëboi qindra mijëra arabë palestinezë nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë, qindra mijëra të tjerë u larguan nga ajo që ishte shndërruar një zonë lufte. Mbi 700.000 njerëz u zhvendosën me forcë. Por të dyja këto raste ndryshojnë në aspekte të rëndësishme.

Sepse i pari ndodhi pasi regjimi gjerman, i mbështetur aktivisht nga shumica e popullsisë, kishte nisur luftën më vrastare në historinë botërore, dhe kishte kryer krimin më të keq në historinë botërore. Arabët palestinezë nuk kishin asnjë përgjegjësi të tillë.

Megjithatë dëbimi i parë, ndodhi kryesisht pasi Gjermania ishte dorëzuar, ndërsa i dyti ndodhi në mesin e një konflikti, në të cilin udhëheqësit palestinezë kërkuan dëbimin e hebrenjve nga toka midis lumit dhe detit, dhe mirëpritën një pushtim nga ushtritë arabe për ta arritur këtë qëllim.

Ndërkohë, gjermanët etnikë kishin ende një shtet gjerman, në të cilin mund të vazhdonin jetën, ndërsa palestinezët – edhe pse mund të kërkonin strehë tek arabët e tjerë – nuk kishin asnjë shtet të tyrin. Por në të dyja rastet, një numër masiv njerëzish kryesisht të pafajshëm, përfunduan në kampe refugjatësh me kushte të mjerueshme.

Megjithatë, të dyja këto histori morën kthesa rrënjësisht të ndryshme. Treçerek shekulli më vonë, pasardhësit e atyre gjermanëve etnikë të dëbuar, kanë ndërtuar një jetë të qëndrueshme në shtëpitë e reja, dhe nuk ëndërrojnë më që të rimarrin qytetet dhe fshatrat, që shumica e tyre nuk i kanë parë kurrë.

Deri në fund të viteve 1980, grupet lobuese të të dëbuarve mbetën të dukshme në Gjermaninë Perëndimore. Kështu më kujtohet një protestë e vogël në Mynih në vitin 1983, në të cilën pleq dhe gra mbanin pankarta ku thuhej “Schlesien bleibt unser” (Silezia është ende e jona). Por këto grupime kishin pak ndikim politik, dhe me kalimin e kohës janë zvogëluar pasi të mbijetuarit e fundit janë plakur ose vdekur. Ndërkohë, qindra mijëra palestinezë jetojnë ende në ato që quhen “kampe refugjatësh”. Më shumë se 5 milionë, kanë statusin formal të “refugjatit palestinez”.

Ata i rritin fëmijët e tyre me historitë e qyteteve dhe fshatrave që ishin të tyret dhe mund të jenë sërish. Shumë prej tyre i mbështesin sulmet terroriste ndaj Izraelit, duke pretenduar se kjo është mënyra e vetme që kanë për të rimarrë atdheun e tyre të humbur.

Nuk po e bëj këtë kontrast për t’ia hedhur fajin palestinezëve për mosndjekjen e shembullit të gjermanëve etnikë. Hebrenjtë si unë, të cilët kanë kënduar këngën “Vitin e ardhshëm në Jerusalem” në çdo festë Pashke për shumë shekuj, vështirë se mund t’u japin leksione të tjerëve për nevojën për të “ecur përpara” dhe për të harruar një atdhe të humbur.

Por mendoj se në botën moderne, është përvoja e gjermanëve etnikë, ajo që është bërë gjithnjë e më e pazakontë. Gjithnjë e më pak konflikte, kanë një zgjidhje vendimtare dhe të përhershme sa Lufta e Dytë Botërore, dhe ky ndryshim ka sjellë pasoja të ndryshme.

Përpara epokës së Revolucionit Francez, popujt anembanë botës e pranonin kryesisht se fitorja ushtarake i jepte fituesit disa të drejta legjitime. Historiani i Universitetit Jeil në SHBA, Xhejms Uitman, thotë se në Evropën e shekullit XVIII-të, juristët i shihnin betejat si të ngjashme me procedurat ligjore.

Rezultati i tyre kishte një fuqi ligjore, e cila më pas do të kodifikohej nga traktatet e paqes. Kur Prusia pushtoi dhe aneksoi Silezinë nga Perandoria Austriake në vitet 1740, bashkëkohësit e pranuan pushtimin si legjitim, për shkak të fitoreve të Frederikut të Madh në fushën e betejës, dhe jo për shkak të argumenteve se kujt i përkiste me të drejtë kjo krahinë.

Ky transferim i veçantë i territorit, nuk përfshinte një transferim të popullsisë, por të tjerët e përfshinin. Por duke nisur nga fundi i shekullit XVIII-të, nisi të zbehej besimi tek ajo që Uitman e quan “ligji i fitores”. Juristët i përkufizuan gjithnjë e më shumë si të paligjshme të gjitha luftërat që nuk u kryen për qëllime rreptësisht mbrojtëse.

Kësisoj ata mohuan që aneksimet e arritura me forcë, të merrnin ndonjëherë fuqinë e ligjit. Në vitet 1790, kur shteti Revolucionar Francez mori territore të reja, u kujdes që në shumicën e rasteve të legjitimonte aneksimin përmes referendumeve. Pas Luftës së Parë Botërore, transferimet e territoreve, të paktën në teori, vareshin sërish nga vullneti i popullsisë në fjalë.

Dhe që nga shekulli XIX-të, lëvizjet nacionaliste kanë këmbëngulur në të drejtën e pathyeshme dhe të përjetshme të popujve të veçantë për sovranitet mbi atdheun e tyre historik. Do të ishte e natyrshme të duartrokitej distancimi nga “ligji i fitores”, si një triumf për vlerat më të ndritura të njerëzimit. Por pasoja paradoksale e këtij largimi është se sot, konfliktet ndërkombëtare janë shpesh thuajse të pamundura për t’i përfunduar njëherë e mirë.

Rast pas rasti, secila palë akuzon pafundësisht palën tjetër për agresion të paligjshëm, për shkelje të sovranitetit, për aneksim të paligjshme të territorit dhe për dëbim të paligjshëm të popullsive. Edhe kur përfundon lufta aktuale ose shndërrohet në një përleshje sporadike, marrëveshjet përfundimtare të paqes rezultojnë të jenë të pazbatueshme.

Ndaj kemi mbetur me shumë “konflikte të ngrira” që zvarriten për dekada, të shoqëruara shpesh me shfaqjen e shteteve të reja që kanë një ekzistencë në hije, të panjohura nga të tjerët dhe të paafta për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara:Qipro Veriore, Transnistria, Osetia e Jugut, Abkhazia, Kosova etj.

Nga të gjitha këto konflikte të ngrira, ai Izrael-Palestinë është më i shquari, edhe pse termi “i ngrirë” duket i papërshtatshëm për një situatë kaq të ndezur. Ndërkohë, të inkurajuar nga opinioni ndërkombëtar dhe nacionalistët vendas, udhëheqësit kombëtarë refuzojnë të mendojnë që të lëshojnë tek kundërshtarët qoftë edhe një centimetër të territorit të tyre të njohur ligjërisht.

A ka ndonjë gjë të shenjtë tek kufijtë e sotëm të Ukrainës, të cilët politikanët sovjetikë i ndryshuan në vitet 1950, për arsye që kishin shumë pak të bënin me historinë, dhe as dëshirat e popullatave të prekura? Sidomos Gadishulli i Krimesë, ka një popullsi kryesisht etnike ruse dhe me lidhje historike me Rusinë.

Vetë kjo e fundit e mori këtë territor me forcë nga Perandoria Osmane, e cila nga ana e saj ia mori atë dikujt tjetër. Por Ukraina refuzon të mendojë për lëshojë Krimesë apo ndonjë territor tjetër brenda kufijve të saj, duke këmbëngulur në integritetin e territorit të saj dhe (për shumë arsye) duke protestuar se çdo legjitimim i agresionit të Rusisë, vetëm sa do të inkurajojë më shumë të njëjtin veprim.

Por alternativa nënkupton lënien e Krimesë në një harresë ligjore për të ardhmen e parashikueshme, së bashku me territoret lindore të Ukrainës që ka pushtuar aktualisht Rusia, edhe pse lufta Rusi-Ukrainë po shndërrohet në një tjetër konflikt të ngrirë.

Enigmat e nxitura nga heqja dorë nga “ligji i fitores” janë edhe më të mëdha, sepse bota moderne nuk njeh asnjë statut kufizimesh për pushtimin e dhunshëm. Shumë pak izraelitë që janë sot ende gjallë luajtën një rol aktiv në ngjarjet e viteve 1948-1949, por në sytë e shumicës së opinionit botëror, popullsia e sotme izraelite mban ende përgjegjësinë për veprimet e tyre.

Pra a kanë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia apo Zelanda e Re sovranitet legjitim mbi territoret e tyre? Sipas teorive gjithnjë e më popullore jo:kolonët i vodhën këto territore nga pronarët e tyre të ligjshëm, indigjenët, të cilët ruajnë të paktën një pretendim moral për sovranitet.

Një rezultat i kësaj lëvizje në SHBA, ka të bëjë me përhapjen e “njohjeve të tokës”, në të cilat institucione të ndryshme bëjnë deklarata publike, se ato janë të vendosura në toka të konfiskuara në mënyrë të paligjshme. Por në terma praktikë, deklarata të tilla bëjnë pak ndryshim.

Shënim: David A.Bell, profesor historie në Universitetin Prinston, me një interes të veçantë për kulturën politike të Iluminizmit dhe Francës revolucionare.