Nga Tamar Kikacheishvili “The New European”
Nina Goçitashvili është studente në Universitetin Shtetëror Ilia në Gjeorgji. Çdo ditë ajo fut në çantën e saj sendet e nevojshme për protestën:një maskë kundra-gaz (në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës nga policia), klorur natriumi për të shpëlarë sytë, dhe syze dielli të posaçme për të mbrojtur sytë në rastin e goditjeve me plumba gome.
Ajo përgatitet sa hap e mbyll sytë, pasi tani ka shumë përvojë. Shtëpia e saj është bastisur disa herë nga autoritetet. “Pesë nga miqtë e mi u arrestuan natën e parë të protestës, ndërsa të tjerët dje. Në mbrëmje përjetova sulme paniku teksa isha në gjumë. Nuk është aspak e lehtë, por ne duhet ta mbrojmë vendin tonë”- shprehet studentja gjeorgjiane.
Ajo nga e cila Nina por edhe shumë të tjerë, po përpiqen ta mbrojnë vendin e tyre, është miratimi i të ashtuquajturit “ligji rus”, disa kufizime të reja që synojnë kryesisht mediat e pavarura dhe grupet e shoqërisë civile. Pavarësisht protestave të mëdha në rrugë, komisionit i ligjeve në parlamentin e Gjeorgjisë e miratoi atë brenda një minute.
Ndaj drafti është shumë pranë shndërrimit në një ligj. Ndërsa deputetët po votonin pro këtij ligji, turma e mbledhur jashtë parlamentit bërtiste:”Skllevër!”. Pavarësisht nga përkeqësimi i situatës së sigurisë, e cila përfshin bastisje të vazhdueshme në shtëpitë e aktivistëve, arrestime dhe sulme kundër tyre, njerëzit atje vazhdojnë të demonstrojnë.
Vetëm në mëngjesin e së hënës u arrestuan 20 persona, shumica vetëm sepse ishin aty në shesh. Fundjavën e kaluar, mijëra gjeorgjianë marshuan në protestë. Ata nuk duan “ligjin rus”, por anëtarësimin në BE. Të premten kryeministri Irakli Kobakixe, deklaroi se ligji i ri do të miratohej dhe se protestuesit janë të mashtruar.
Por faktet që shihen në rrugët e vendit tregojnë një histori krejt tjetër. Kur e arrestuan tim atë, Gia Kikasheishvili, nuk isha e sigurt nëse do ta shihja më gjallë. Po atë natë, dëgjova se vajza ime, Mariam Zedginixe, ishte dëmtuar nga gazi lotsjellës i policisë. Nuk e kisha idenë se ku e kishin çuar babain.
Vetëm të nesërmen në mëngjes, mora vesh se ai izoluar në qendrën e paraburgimit në qytetin Mtskheta. Një gazetar që e njihja, dhe që kishte biseduar me avokatin e tij, më dërgoi një mesazh: “Për fat të keq, ai është rrahur nga policia!”. Vajza ime, e cila është 20 vjeçe, ishte në të njëjtën protestë ku u ndalua babai.
Pasi u hodh gazi lotsjellës nga policia, ajo arriti të fshihej diku deri sa agoi dita tjetër. Më pas shkoi në shtëpi. Kur im atë u lirua pas 48 orësh, kishte plagë në fytyrë, mavijosje në të gjithë trupin dhe ishte në gjendje shoku psikologjik. Ky është zbatimi në praktikë i “ligji rus”.
Po ashtu autoritetet po përdorin metoda të tjera, disi më delikate, por sërish të këqija të frikësimit. Në lagjet ku jetojnë dhe punojnë aktivistët, ekspertë dhe gazetarët, kanë filluar të shfaqen postera, duke i identifikuar aktivistët me emër apo foto dhe duke i quajtur ata “spiunë” dhe “armiq të popullit”, një frazë tepër e njohur nga koha e represionit sovjetik.
Natia Kuprashvili, është një aktiviste, figurë mediatike dhe profesore në Universitetin Shtetëror të Tbilisit, dhe duket se dikush ka arritur të gjejë numrin e saj të telefonit. Telefonatat kërcënuese anonime kanë mbërritur në celularin e saj si nga numra gjeorgjiane ashtu edhe të huaj, ditën dhe natën.
Nën shënjestër janë gazetarët, aktivistët dhe qytetarët, cilido që ka folur për kërcënimin e “ligjit rus”. Në disa raste, kërcënime kanë marrë edhe fëmijët e tyre. Natia e mori telefonatën e saj të parë kërcënuese kur po udhëtonte me makinë me familjen e saj. Ajo iu përgjigj telefonatës me zërin e ngritur të pajisjes. Ishte një zë burri, dhe vajza e saj e mitur dëgjoi gjithçka.
Telefonuesit kërcënojnë me sulme fizike. Ata duket se dinë shumë për Natian, përfshirë vendin ku ajo jeton. Shumica e studentëve të saj po protestojnë, ndaj Natia i shtyu leksionet për të demonstruar bashkë me ta. “Unë shoh që studentët e mi të rrihen, sulmohen dhe asfiksohen me gaz lotsjellës”- shprehet ajo.
Edhe pse stafi akademik e mbështet, drejtuesit e universitetit e kanë shpërfillur faktin se po kërcënohet një pedagoge, apo që po dhunohen studentët e saj. Madje në vend të mbështetjes, ndaj saj nisi një fushatë denigrimi, duke pretenduar se Natia nuk është e përshtatshme për t’i mësuar studentët.
“Atje nuk ndihem më e sigurt atje”-rrëfen ajo. Së bashku me gazetarët Nino Zuriashvili dhe Nana Biganishvili, Natia ka bërë një ankesë zyrtare për sulmet ndaj gazetarëve, dhe veçanërisht për posterat me titullin “Armiku i Popullit”. Në krah të tyre ka dalë ambasada britanike në Tbilisi, e cila postoi një deklaratë në faqen e saj në Facebook, duke i kërkuar qeverisë gjeorgjiane të ndalë kërcënimet dhe të hetojë të gjitha shkeljet kundër protestuesve.
Po ashtu, deklarata shprehte mbështetje për aspiratat euro-atlantike të Gjeorgjisë. “Ligji i ri rus” përbën një rrezik të madh për mediat e pavarura, të cilat do të përballeshin me gjoba të mëdha deri në 8.500 euro, qoftë edhe vetëm për raportimin e lajmeve politike. Mediat e vogla të pavarura nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë barrë.
Dhe raportimi i pavarur, do të zëvendësohet gradualisht me lajme të miratuara nga qeveria, ashtu siç ka ndodhur në Rusi. Ligjet e reja, synojnë jo vetëm aktivistët politikë, por edhe organizatat kulturore. Si për shembull Grupin Mbështetës të Nismës së Grave (ËISG). Nina Goçitashvili ishte dikur e përfshirë në këtë grupim, e specializuar mbi çështjes e barazisë gjinore dhe kinematografisë.
“Për mua ishte tronditëse të shihja edhe sulmin ndaj kësaj organizate. Ata duan ta privojnë popullin gjeorgjian nga aspirata e tyre për t’u anëtarësuar në BE. Duan që ne të jetojmë në një vend regresiv si Rusia, ndërsa vetë fëmijët e tyre të kenë të gjitha përfitimet e studimit në universitetet evropiane apo amerikane. Me këtë ligj, partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, kreu vetëvrasje politike kundër popullit gjeorgjian, kundër aspiratës sonë të shumëpritur për t’u bërë një ditë pjesë e BE-së”- thotë Goçitashvili.
Më 29 prill, themeluesi i Ëndrrës Gjeorgjiane, oligarku miliarder Bidzina Ivanishvili, iu drejtua njerëzve në një anti-miting pro-qeveritar. Ivanishvili ishte një shtetas francez kur mbërriti në Gjeorgji në vitin 2012, dhe nuk është ndonjë enigmë se ku i fitoi paratë e tij, në Rusi.
Ai u tha mbështetësve të tij:”Nuk ka armik më të madh për shtetin se sa pseudo-elita, e rritur nga vendet e huaja”. Vetë Ivanishvili, i cili nuk mban asnjë pozicion zyrtar në qeveri, është drejtuesi kryesor i partisë Ëndrra Gjeorgjiane.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabishvili, e cila është shprehur kundër ligjit të ri, ka paralajmëruar se do të vendosë veton ndaj këtij ligji nëse miratohet nga parlamenti. “Ky ligj është i ngjashëm me ato në Rusi”- është shprehur ajo. Po ashtu, ajo i ka kërkuar policisë dhe autoriteteve të mos e përdorin forcën kundër protestuesve paqësorë.
Protestuesit nuk mund të dorëzohen tani. Dhe nuk do ta bëjnë këtë. Në të gjithë qytetin, njerëzit po ofrojnë dhoma e shtëpive të tyre për të strehuar që vijnë nga rajonet e tjera për të protestuar në Tbilisi. Protesta është e shtrirë kudo. Vetëm pak ditë më parë, një grua e moshuar dhe aq sëmurë sa që nuk mund të dilte dot nga shtëpia, ngriti nga ballkoni i shtëpisë së saj flamujt e BE-së dhe Gjeorgjisë.
Gjeorgjia mund të jetë një vend i vogël. Por ne shpesh themi se nëse do të rrafshonit të gjitha malet tona, do të ishim më të mëdhenj se Rusia. Dhe ne nuk do të heqim dorë nga shpresat tona për t’iu bashkuar një ditë Bashkimit Evropian.