A do të arrestohet Sali Berisha? GJKKO shpall sot vendimin për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit

Gjykata e Posaçme do të shpallë sot në orën 12:00 vendimin për kërkesën e SPAK për të vendosur nën masë sigurie “arrest shtëpie” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjithashtu SPAK ka kërkuar që Berisha të jetë nën mbikëqyrjen policore dhe t’i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të në banesë.

Kërkesa e SPAK erdhi pasi ish-kryeministri nuk zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi akuzoi Prokurorinë e Posaçme për shkelje të ligjit, sepse nuk mori leje në Kuvend. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit Partizani, çështje në të cilën është i përfshirë edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili është lënë nën masë sigurie “arrest shtëpie”.

Vendimi për kërkesën e SPAK për “arrest shtëpie” ndaj Berishës është shtyrë 2 herë, për shkak se avokatët kanë bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja, për shkak se ajo është në konflikt interesi, sepse është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë në vitin 1996 nga Sali Berisha.

Kërkesat për përjashtimin e gjyqtares nuk janë pranuar, ndërkohë që dje GJKKO njoftoi se nuk ka patur kërkesë tjetër nga avokatët e ish-kryeministrit, çfarë do të thotë se sot mund të shpallet vendimi përfundimtar, në rast se nuk do të ketë ndonjë kërkesë tjetër që mund të çojë sërish në shtyrjen e vendimit.