Vrau të atin me një lak teli, Prokuroria e Fierit çon në gjyq Ermalinda Ramën! Nën akuzë edhe e ëma që fshehu krimin

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Anesti Ramës, 56 vjeç, në fshatin Frashër të Patosit, dhe ka dërguar çështjen në gjyq. 

Vajza Ermalinda Rama, akuzohet se vrau babanë e saj, Anesti Rama, ndërsa nëna, Valbona Rama, akuzohet se kreu veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 korrik 2025, në fshatin Frashër të Patosit, ku sipas hetimeve Ermalinda Rama ka vrarë babain e sajduke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Njoftimi i prokurorisë Fier:

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R. për vrasjen e babait të saj dhe të ëmën për fshehjen e gjurmëve të krimit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.