Andi Bushati
Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
Prej një dekade, ose më saktë që pas zgjedhjeve të 2017, kur PS-ja mori timonin e vetme, një debat e ka përçarë shoqërinë në dy grupe të mëdha, ai nëse Edi Rama është një autokrat që largohet dot me zgjedhje? Njëra nga palët pretendonte se, mirë apo keq, Shqipëria mbetej një demokraci, ku pushteti duhej vendosur vetëm përmes kutive të votimit, dhe përderisa kjo nuk ndodhte, ky ishte faji kryesisht i opozitës, por dhe i sistemit të ndryshuar në 2008, i kundërpushteteve të dobta si media apo shoqëria civile e kështu me radhë.
Pala tjetër këmbëngulte gjithnjë e më fort, se kriminalizimi i qeverisjes, fluksi i parave të pista, kapja e drejtësisë dhe televizioneve të mëdha e kishin bërë të pamundur një rotacion politik normal. Sipas tyre, nëse Edi Rama përmbysej, kjo do të ndodhte vetëm me revoltë, pasi ai e kishte uzurpuar aq keq pushtetin, sa nuk kishte ndër mend të shkulej nga karigja.
Ngjarjet e katër muajve të fundit, po sidomos ato të javës që sapo lamë pas e kanë zgjidhur këtë dilemë. Ato treguan se kryeministi është gatshshëm ta ruajë pushtetin dhe me gjak. Dhuna e egër policore, gazi lotësjellës, rrahja e adoleshentëve para kamerave, të gjitha këto nën moton qesharake se “Edi është i vetmi që mund të na çojë në Europë”, e kanë kapërcyer dilemën që na ka munduar prej vitesh. Rama vështirë se i ka lënë vetes mundësinë për një jetë të tretë përtej politikës, ai ose do të mbesë në karrige, ose do të përfundojë në burg.
Por tani, kur kjo gjë është kuptuar thuajse nga të gjithë, idhtarët e “rrugës paqësore”, që në pjesën më të madhe nuk janë gjë tjetër veçse kriptoramisë, kanë ndryshuar lëkurë. Ata pranojnë, sa për sy e faqe, se kjo klikë është diskredituar mes skandalesh të paimagjinuesheme korruptive, ata pohojnë se revolucioni i flamingove nxori në pah një pakënqqësi të madhe popullore, të fshehur deri më tani përmes garave të trukuara elkektorale, por -sepse gjithmonë ka një por- ata dënojnë përshkallëzimin e ditëve të fundit dhe qajnë me lot krokodili shkatërrimet.
Nga dilema e parë ata po reken të imponojnë të dytën? A është zgjidhja tek dhuna?
Le të mundohemi ta shtjellojmë këtë pyetje. Ka një episod që na ndihmon për të kuptuar gjithçka. Ai i një grupi të vogël adoleshentësh të egërsuar që u shkëputën nga turma për të shkuar me gurë drejt Partisë Socialiste. Ata sulmuan selinë, goditën e thyen xhama. Por ky akt, në dukje i papranueshëm, nxori në pah një të vërtetë më të madhe. Atë se partia në pushtet nuk ruhej në mënyrë insititucionale me polici, por nga banda të armatosura paramilitarësh, të cilët përveçse të paligjshëm, ishin formalisht edhe punonjës të IKMT-së, pra paguheshin nga taksat e të gjithëve vetëm për ti shërbyer PS-së. Pra a nuk shërbyen ata gurë mbi xhama për të shpërfaqur në sytë e publikut fytyrën e një partie tashmë të kriminalizuar, bërjen njësh të administratës me rilindjen, të bandave me hunj në dorë me partinë në pushtet?