E rëndë në Kamëz/ Vriten me armë zjarri dy vëllezërit, plagoset i treti! Arrestohet autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të hënë në Kamëz, ku dy vëllezër, të identifikuar me inicialet S.I. dhe N.I., janë vrarë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes është Ngushëllim Manzi, i cili është arrestuar nga policia. Autori është punonjës i Policisë Ushtarake. Po ashtu ka mbetur i plagosur edhe vëllai i dy viktimave.

Rrethanat dhe motivet e krimit mbeten të paqarta, ndërsa priten detaje të mëtejshme nga autoritetet për ngjarjen e rëndë.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, i cili ka përfunduar në mënyrë tragjike.

Njoftimi i policise:

Vrau me armë zjarri, për motive të dobëta, 2 shtetas dhe plagosi 1 tjetër, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan menjëherë në vendngjarje.

Nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.

Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

See less