Parlamenti Evropian ka reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me protestat e fundit në Shqipëri, ku shpreh shqetësim për dhunën e policisë ndaj protestuesve.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë rastet e përdorimit të tepruar të forcës”- thuhet në një deklaratë.
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e protestave në Tiranë.
Ata dënojnë dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës. Ndërkohë theksojnë se e drejta për lirinë e tubimit paqësor dhe të shprehjes mbrohet si nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Protestuesit, në këtë rast të rinjtë, kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje autoriteteve të mbrojnë ushtrimin e së drejtës së lirisë së tubimit, përfshirë protestat paqësore”.
Deklarata e plotë
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në cilësinë e Raportuesit të Përhershëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, veçanërisht në Tiranë.
Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje dhe nuk kanë vend në demokraci.
Shprehim gjithashtu shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë rastet e përdorimit të tepruar të forcës.
Theksojmë se e drejta për lirinë e tubimit paqësor dhe të shprehjes mbrohet si nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit, në këtë rast të rinjtë, kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje autoriteteve të mbrojnë ushtrimin e së drejtës së lirisë së tubimit, përfshirë protestat paqësore.
Bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë ndërmjet të gjithë aktorëve, me synimin për të gjetur një zgjidhje kuptimplotë për adresimin e çdo pakënaqësie të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriteri kryesor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Marco TARQUINIO, eurodeputet
Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë
Andreas SCHIEDER, eurodeputet
Raportues i Përhershëm për Shqipërinë