Rinia shqiptare kërkon largimin e tij, Rama: Nuk do të dorëhiqem

Në ditën e tretë të protestave të udhëhequra nga studentët në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen.

Në një deklaratë të dhënë për Reuters, Rama ka thënë se nuk do të lejonte që dhuna të rrezikonte synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Edhe në një reagim mëngjesin e kësaj të enjteje, kreu i qeverisë tha kjo nuk është një protestë e studentëve, por sipas tij, pas akteve vandale, fshihet Partia Demokratike.

“Nuk janë në duart e studentëve. Ata janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”.

Ndërkohë Rama kërcënoi protestuesit, duke thënë se përgjegjësit do të dalin para ligjit dhe kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguaj.

Ndërkohë të rinjtë që po protestojnë prej tre ditësh kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama teksa shprehen se janë të pashpresë në Shqipëri.