SPAK u ka hapur dosje të re, pas Artan Gaçit, edhe Olta Xhaçka paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Artan Gaçi u paraqit ditën e sotme për herë të dytë brenda pak ditësh në Prokurorinë e Posaçme, teksa pas tij në SPAK ka shkuar edhe bashkëshortja, deputetja socialiste dhe ish-ministrja E Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Mediat bënë me dije pak ditë më parë se për çiftin “strategjik” SPAK ka hapur një dosje të re, duke i vënë në ndjekje penale për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Rasti në fjalë është regjistruar pas daljes së provave hetimore të një hetimi tjetër, duke u zbuluar një seri transaksionesh bankare dhe njëherësh disa komunikime në aparate telefonike.

Kujtojmë se para 1 viti, ndaj Artan Gaçit nisi një hetim nga prokurori Olsi Dado, i cili u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e bregdetit të Jugut.

Por ky hetim më pas u pushua nga prokuroria e Posaçme dhe më pas u la në fuqi dhe nga gjykatat e vendit. Ndërkohë, tashmë ky është një hetim i ri, që ka zbuluar prova të reja, ndaj dhe prokurori Olsi Dado ka regjistruar dosjen për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Nisur nga kjo situatë, mesditën e sotme Artan Gaçi është ftuar në SPAK për t’u marrë në pyetje si person nën hetim, ndaj është kërkuar prezenca e tij nën shoqërinë e një avokati mbrojtës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë kohës kur ka qëndruar në SPAK, Artan Gaçi nuk ka dhënë shpjegime, pasi më parë ka kërkuar që të njihet me aktet hetimore dhe akuzën zyrtare për të cilën ai është vënë nën hetim dhe thirrur në prokurori për të dëshmuar.