Edi Rama përballë pasqyrës së 13 viteve

Edi Rama ka 13 vjet që qeveris Shqipërinë, ndaj ka pasur kohë të mjaftueshme për të njohur çdo cep të vendit, çdo problem të qytetarëve dhe çdo dështim të administratës së tij.

Ka pasur gjithmonë pushtetin, shumicën parlamentare, ministritë dhe institucionet në dispozicion. E megjithatë, vetëm në vitin e 13-të të qeverisjes, duket sikur ka zbuluar një mjet të ri për të kuptuar realitetin e vendit që ai qeveris, pasqyrën.

Së pari erdhi “Pasqyra Albania”, pastaj “Pasqyra e Flamingos” dhe tani “Pasqyra e Çmimeve”. Ideja është e mirë, por problemi i Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë mungesa e pasqyrave dixhitale. Problemi ka qenë mungesa e përgjegjësisë përpara realitetit që këto pasqyra pretendojnë të pasqyrojnë.

Sepse shqiptarët nuk kanë pasur nevojë për një platformë që t’u tregojë se sa kushton shporta e ushqimeve. E kanë kuptuar këtë në arkën e çdo dyqani apo supermarketi, kur kanë parë se si rroga u mbaron përpara fundit të muajit. T’i tregosh qytetarit se ku mund të blejë një produkt më lirë nuk është e njëjta gjë me t’i krijuar atij mundësinë ta përballojë atë.

Nuk kanë pasur nevojë për një portal që t’u zbulojë se çfarë ndodh në lagjen e tyre, kur e shohin çdo ditë me sytë e tyre se si ngrihen kulla me dhjetëra kate që mbajnë qindra e mijëra apartamente që nuk i blen askush, dhe vetë mezi paguajnë qiranë e shtëpisë.

Por shfaqja nuk përfundon te platformat apo pasqyrat që Rama na prezanton çdo ditë. Ajo vazhdon edhe në terren, me Praninë Besnike dhe deputetët e mazhorancës që takojnë qytetarët, dëgjojnë hallet e tyre dhe “mbajnë shënime” për problemet që u raportohen.

Por edhe këtu ka një pyetje të rëndësishme: çfarë kanë bërë këta deputetë gjatë gjithë këtyre viteve?

Kur një deputet del në një lagje dhe qytetari i tregon se rruga është e shkatërruar, se mungon një shërbim publik, se administrata nuk i përgjigjet apo se familja nuk ia del me shpenzimet mujore, ai nuk po zbulon diçka të re, thjesht po dëgjon realitetin me të cilin qytetarët janë përballur në gjithë këto vite.

Qytetarët nuk kanë nevojë për deputetë që të sillen si gazetarë të terrenit, të mbledhin ankesat e tyre dhe pastaj t’ia përcjellin qeverisë që vetë mbështesin. Ata kanë nevojë për deputetë që kontrollojnë qeverinë, kërkojnë llogari nga ministrat, propozojnë zgjidhje dhe sigurohen që problemet të mos mbeten në bllokun e shënimeve pas përfundimit të takimit.

Nëse një problem regjistrohet sot, por mbetet i pazgjidhur nesër, çfarë vlere ka takimi? Nëse një qytetar e ka ngritur të njëjtën shqetësim për vite me radhë, çfarë ndryshon kur një deputet e shkruan për herë të parë në një fletore?

Edi Rama nuk mund të sillet sikur problemet e vendit t’i ketë zbuluar një ditë të bukur përmes inteligjencës artificiale. Ai është kryeministri që ka drejtuar qeverinë që nga viti 2013. Për këtë arsye, çdo pasqyrë që hap sot duhet të nisë me një pyetje drejtuar vetes: çfarë ke bërë me pushtetin që të kanë besuar shqiptarët?

Sepse pasqyra nuk e ndryshon realitetin. Ajo vetëm të tregon se sa keq e ke qeverisur këtë vend, ku korrupsioni dhe varfëria kanë arritur majat, ku ministrat grabisin aq shumë sa s’dinë më as ku t’i fshehin, ndërsa qytetarët mendojnë se e vetmja zgjidhja është emigrimi.

Pas 13 vitesh në pushtet, Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër që sapo ka mësuar të shohë. I duhet një kryeministër që mban përgjegjësi për atë që sheh dhe që ka bërë, sidomos kur në shesh prej më shumë se 130 ditësh mijëra qytetarë i kërkojnë të largohet.

Nëse Rama ka arritur më në fund të shohë Shqipërinë në pasqyrë, le të shohë edhe një herë me kujdes, kush ka qenë në timon gjatë gjithë këtyre viteve, atë timon që e kërkoi me ngulm ta kishte vetëm për vete.

Sepse Shqipëria që shfaqet në pasqyrë nuk është një vend që sapo ka zbuluar problemet e veta, është vendi që pret prej vitesh që pushteti të t’i japë zgjidhje.

Dhe pas 13 vitesh, pyetja që mbetet nuk është nëse Rama e ka parë Shqipërinë në pasqyrë, por pse iu deshën kaq shumë vite për të kuptuar se pasqyra po i tregonte vendin që ai vetë ka qeverisur.