Berisha kundër propozimit të KQZ-së: Nuk pranojmë numërim elektronik në asnjë bashki

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kundërshtuar propozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për votim dhe numërim elektronik në disa bashi të mëdha të vendit.

Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati tha se PD është kundër pasi sipas tij, manipulimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme.

“Asnjë bashki nuk pranohet me numërim elektronik. PD nuk pranon. Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme, është implikuar direkt SHISH, janë krijuar serverë paralelë, s’pranojmë asgjë të manipulueshme në procesin zgjedhor”, tha Berisha.

Ky qëndrim i PD ishtë bërë i ditur edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas takimit konsultativ të zhvilluar më 9 tetor nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me përfaqësues të partive politike parlamentare.

“Në përgjigje të ftesës së KQZ Shqiperi për partitë parlamentare për të diskutuar mbi votimin dhe numërimin elektronik, në datën 9 tetor 2026, në ambientet e këtij institucioni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi zhvilloi takimin përkatës konsultativ me përfaqësues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Fryma Re Demokratike, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, Partia Agrare Ambjentaliste dhe Partia Lëvizja e Legalitetit.

Nga diskutimet përkatëse të këtyre përfaqësuesve, duket se partia kryesore e opozitës parlamentare nuk e mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027.

Rekomandimi i përfaqësuesve të tjerë politikë ishte për zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki apo edhe në të gjithë territorin e vendit.

KQZ falënderon përfaqësuesit e partive parlamentare që morën pjesë në këtë konsultë dhe po vlerëson mendimet e tyre, si dhe të gjitha aspektet e lidhura me votimin dhe numërimin elektronik, për të vendosur më pas në lidhje me përdorimin e tyre në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027”, shkruan KQZ.