Rama prezanton “Pasqyrën e Çmimeve”, paralajmëron supermarketet: Gjoba kush spekulon

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “Kurse”,  e cila do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në rrjetet e supermarketeve në vend.

Rama tha se synimi është që deri në fund të vitit në platformë të përfshihen 1 mijë artikuj, ndërsa pjesë e nismës pritet të bëhen edhe marketet më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë.

Ndërkohë ai paralajmëroi edhe supermarketet për rastet kur konstatohen abuzime me çmimet.

“Ky është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte, duke pasur parasysh edhe subjekte më të vogla, edhe pikat e shitjes së pakicës, të cilat janë pika ku, siç e tha ministrja, shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë aty ligji parashikon edhe gjobë, në rast se ato çmime janë spekulim. Duam ta çojmë në një nivel tjetër transparencën në çdo sektor dhe në çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjeve, në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme”, u shpreh Rama.