Një ngjarje e rëndë në Fushë Krujë, ku një 16-vjeçar ka humbur jetën pas shkëputjes së ashensorit në një restorant.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë kamerierin 26-vjeçar dhe pronarin 62-vjeçar të lokalit.
Siç njofton policia, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë ku 26-vjeçari, E. S, i cili punonte si kamerier në restorant ka shtyrë me duar 16-vjeçarin gjithashtu i punësuar si kamerier, brenda në ashensor. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Raportohet se i mituri dhe kolegu i tij, 26 vjeç, po bënin shaka me njëri-tjetrin në momentin kur 16-vjeçari hyri në ashensor për të zbritur në katin e parë të lokalit.
Gjatë këtij momenti, kamerieri tjetër dyshohet se e ka shtyrë me duar dhe ka shtypur butonin e ashensorit, me qëllim që kolegu i tij të zbriste poshtë.
Por situata mori një kthesë tragjike. Në atë moment, ashensori pësoi shkëputje dhe 16-vjeçari u përplas me kokë në pllaka, duke humbur jetën.
26-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”. Ndërkohë pronari i restorantit në Arameras për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Njoftimi i policisë:
Krujë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.