BE i jep dritën jeshile Shqipërisë për Kapitullin 20

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) ka miratuar zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor 2026, në Luksemburg. Në këtë konferencë pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.

Lajmin e ka ndarë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“SHQIPËRIA MBYLL KAPITULLIN E PARË. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë shqiptare për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.

Gjithashtu, ky kapitull përfshin masa që lidhen me inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat evropiane.

Miratimi i zhvillimit të konferencës pasqyron vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare për përparimin e Shqipërisë në përafrimin e politikave industriale dhe të sipërmarrjes me standardet e Bashkimit Evropian.

Mbyllja e përkohshme e negociatave për këtë kapitull pritet të konfirmojë përparimin në krijimin e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për zhvillimin e biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve, duke vijuar procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.