Shkeli bojkotin, pezullohet për dy vjet licenca e avokatit Lefter Xhengo

Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur pezullimin për dy vite të licencës së avokatit Lefter Xhengo, pasi ky i fundit theu bojkotin e avokatëve dhe mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë së administratorit të inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja në GJKKO.

Vendimi u mor pas një mbledhjeje të Komitetit Disiplinor, të thirrur këtë të premte, pas pjesëmarrjes së dy avokatëve, Lefter Xhengo dhe Mirgen Gjoci në seancat gjyqësore, pavarësisht bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë.

Komiteti Disiplinor ka shqyrtuar gjithashtu rastin e avokatit Mirgen Gjoci, i cili përfaqësoi Gerta Gjocin gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, pavarësisht bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë.

Për këtë të fundit, Komiteti Disiplinor ka vendosur të mos marrë një masë të rëndë, por vetëm vërejtje dhe këshillim.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re, e cila përcakton një sërë rregullash për hyrjen në godinë, ndjekjen e seancave gjyqësore dhe aktivitetin e medias.

Kjo praktikë është kundërshtuar nga palët e prekura nga këto masa kufizuese, ndaj kanë kërkuar rishikimin e saj, pasi e cilësojnë si pengim të punës së tyre.