Një komunikim në rrjetet sociale dyshohet se është bërë shkak për një përplasje që përfundoi me dhunë në Krujë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur një 19-vjeçar, pjesë e Patrullës së Policisë, por në atë moment jashtë detyrës, është sulmuar nga disa persona. I riu dyshohet se është goditur me sende të forta, ndërsa autorët kanë përdorur edhe një shkop bejsbolli.
Shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë komunikimi që 19-vjeçari kishte pasur përmes Instagramit me motrën e tyre, e cila është e mitur. Familjarët e vajzës kishin mësuar për komunikimin dhe kjo situatë dyshohet se ka sjellë reagimin e vëllezërve.
Pas incidentit, policia ka nisur hetimet dhe ka identifikuar si persona të dyshuar dy vëllezër. Nga këqyrja e kamerave është bërë e mundur të sigurohen të dhëna për automjetin që dyshohet se është përdorur nga personat e përfshirë pas ngjarjes.
Dy vëllezërit aktualisht janë shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.