Presioni i Trump jep rezultat, G7 do të nxjerrë 100 milionë fuçi naftë në treg

Vendet e G7 kanë rënë dakord të nxjerrin në treg rreth 100 milionë fuçi naftë gjatë katër muajve të ardhshëm, pas presionit të fortë të administratës Trump ndaj vendeve evropiane për të përdorur rezervat strategjike të karburanteve, veçanërisht të naftës dizel.

Vendimi u bë i ditur pas një takimi urgjent të zhvilluar të premten, ku liderët e G7 deklaruan se lirimi i rezervave do të nisë menjëherë dhe do të fokusohet fillimisht te rezervat e dizelit.

Masa vjen pasi administrata amerikane u kishte kërkuar vendeve evropiane të nxirrnin në treg një pjesë të rezervave të dizelit, me synim zbutjen e rritjes së fortë të çmimeve të karburantit.

Rritja e çmimeve të dizelit ishte kthyer në një çështje politike në SHBA, në prag të zgjedhjeve afatmesme të muajit të ardhshëm.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar gjithashtu me ndalimin e eksporteve të dizelit nga SHBA-ja, një skenar që do të shqetësonte veçanërisht vendet evropiane. Më shumë se gjysma e importeve të dizelit në Evropë vijnë nga SHBA-ja.

Megjithatë, sipas deklaratës së liderëve të G7, ky kërcënim tashmë është hequr nga tavolina. Marrëveshja parashikon se nuk do të ketë kufizime apo ndalime për eksportet mes vendeve të G7.

Presidenti francez Emmanuel Macron mohoi se liderët evropianë ishin detyruar të pranonin marrëveshjen nën presionin e kërcënimit për ndalimin e eksporteve të dizelit.

“Toni i diskutimit tonë nuk ishte kërcënues; ishte konstruktiv”, deklaroi Macron të premten.

Ai shtoi se Trump kishte qenë “shumë i qartë” se nuk do të kishte një ndalim të eksporteve.

Deklarata e përbashkët e G7 nuk specifikoi nëse rezervat do të vinin konkretisht nga vendet evropiane. Megjithatë, Trump tha në një postim në rrjetin e tij social Truth Social se vendet evropiane kishin rënë dakord të jepnin një kontribut të konsiderueshëm.

“Evropa sapo ka rënë dakord të nxjerrë një sasi masive të rezervave të saj të mëdha të dizelit. Procesi do të nisë menjëherë”, shkroi Trump.

Marrëveshja vjen pas disa raundeve bisedimesh urgjente mes qeverive evropiane për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin presionit amerikan. Franca kishte propozuar më herët gjatë së premtes lirimin e rreth 100 milionë fuçive naftë dhe dizel nga rezervat evropiane.

Në G7 bëjnë pjesë SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Vendet e G7 morën pjesë gjithashtu në një tjetër lirimin e rezervave prej rreth 400 milionë fuçish naftë në fillim të këtij viti, nën drejtimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

Megjithatë, sipas një tregtari dhe një diplomati të BE-së të cituar nga POLITICO, një pjesë e konsiderueshme e naftës së liruar nuk përfundoi në treg, pasi nuk ishte konkurruese ndaj naftës më të lirë amerikane që kishte hyrë në tregun evropian.

Sipas tyre, rezervat ishin zyrtarisht të disponueshme, edhe pse nuk u shitën në treg.

Ndërkohë, dy diplomatë të tjerë sugjeruan të premten se njoftimi i ri mund të jetë thjesht një rikonfirmim i angazhimit të marrë nga G7 në muajin mars.