Korrupsioni vijon të jetë një nga pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit në Shqipëri.
Kështu evidenton raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se korrupsioni vazhdon të minojë sundimin e ligjit, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe ta pengojë Shqipërinë të arrijë potencialin e saj të plotë.
Sipas DASH, Prokuroria Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NBI) e SPAK-ut, të krijuara në kuadër të reformës gjyqësore, po bëjnë përparim në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e atyre që janë përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, duke përfshirë zyrtarë të lartë aktualë ose të mëparshëm dhe bosë kriminalë. SPAK ka filluar hetime për disa raste të profilit të lartë, duke urdhëruar arrestime dhe duke siguruar dënime të zyrtarëve publikë dhe figurave të krimit të organizuar.
Ndërkohë migrimi i fuqisë punëtore jashtë vendit mbetet një problem i vazhdueshëm që ndikon në tregun e punës në Shqipëri.
Në raportin e DASH theksohet se gjetja e stafit të kualifikuar vendas është bërë shqetësimi kryesor për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë në vitet e fundit.
Investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Investitorët e huaj përmendin:
Korrupsion i gjerë në sektorin publik, gjyqësor dhe prokurim
Konkurrencë e padrejtë
Pastrimi i parave
Një ekonomi e madhe informale
Ndryshime të shpeshta të legjislacionit fiskal
Çështjet e të drejtave të pronësisë
Një tjetër problem i evidentuar është konkurrenca e pandershme. Sipas raportit, të ardhurat e paligjshme nga trafikimi i drogës dhe evazioni fiskal mund të shtrembërojnë konkurrencën në treg.
Çështjet e pronave vazhdojnë të jenë të vështira dhe investitorët potencialë duhet të tregojnë kujdes kur merren me transaksione pronash. Sfidat kryesore që lidhen me pronat përfshijnë:
Korrupsioni
Mungesa e transparencës dhe joefikasiteti në procedura
Mungesa e një sistemi efikas të menaxhimit të integruar të tokës
Dixhitalizim dhe pajtim jo i plotë i titujve ligjorë dhe hartave kadastrale dhe
Regjistrim i parë i paplotë i pronës
Në raportin e progresit të vitit 2025, BE-ja vuri në dukje se Shqipëria duhet të zgjerojë gëzimin e së drejtës së pronës dhe sigurinë ligjore duke bërë përparim në regjistrimet e para, dixhitalizimin e titujve të pronësisë, dokumenteve dhe hartave, përmirësimin e cilësisë dhe saktësisë së të dhënave kadastrale, rritjen e integritetit, transparencës dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe avancimin e procedurave të kompensimit, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për një gjykim të drejtë në rastet e shpronësimit dhe heqjes së pronave.
Sipas DASH, individët dhe investitorët përballen me sfida të rëndësishme në mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri. Pavarësisht përmirësimeve në sistemin e regjistrimit, gjendja e pamjaftueshme e të dhënave mbetet një rrezik për sigurinë e titujve të pronësisë dhe një kufizim për investimet. Sektori i pronave perceptohet nga publiku si një nga më të ekspozuarit ndaj korrupsionit. Procedurat e regjistrimit të pronave dhe marrja e titujve të pronësisë janë ende të vështira dhe të prirura ndaj korrupsionit të përhapur. Qeveria ka miratuar një platformë online për dorëzimin e aplikimeve për transaksione me pronat, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të zhdukur korrupsionin në këtë proces.