Me votat e mazhorancës, Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat per Vlora Hysenin, drejtuesen e SHISH, e cila ndodhet në “arrest shtëpie” pasi dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete shtetërore, Ergys Agasit, gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në kërkim nga SPAK.
Opozita kërkoi që çështja të diskutohet në Kuvend, duke kërkuar shqyrtimin e përgjegjësive institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit
“Nuk ka asnjë rresht në kërkesën tonë për zhvillimin e mocionit që i referohet hetimeve të prokurorisë. E ka përgjegjësi Kryeministri për të luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar. Ka përgjegjësi ekzekutive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta”, tha Gazment Bardhi, kreu i grupit te Partise Demokratike.
Por sipas mazhorancës, çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë, konkretisht SPAK-ut dhe gjykatës, për të vijuar procedurat përkatëse, duke rrëzuar kërkesën e PD, pas më shumë se një orë debate.
Qëndrimi ynë, lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale”, tha Taulant Balla nga Partia Socialiste.