Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama për diskutimin e skemës së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar kreut të qeverisë, Unioni vlerëson ftesën për dialog, por argumenton se çështja e pagave ndodhet aktualisht në një proces gjyqësor kushtetues, të iniciuar nga shoqatat e magjistratëve.
Sipas Unionit, në qendër të këtij procesi janë ndryshimet e bëra në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe mënyra e zbatimit të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tyre, ka përcaktuar një standard minimal për pagat e magjistratëve.
Pikërisht për shkak se çështja nuk është mbyllur ende nga Gjykata Kushtetuese, gjyqtarët vlerësojnë se pjesëmarrja në tryezën e 28 shtatorit mund të krijonte probleme në raport me kompetencat e kësaj gjykate dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Në përgjigjen e tyre, ata bëjnë të qartë se nuk do të jenë pjesë e konsultimit të planifikuar për sot, duke theksuar se qëndrimi lidhet me procesin kushtetues në zhvillim dhe jo me refuzimin e dialogut institucional.
Unioni shprehet se mbetet i gatshëm për komunikim me qeverinë dhe për të kontribuar në diskutime të mëtejshme, por pasi të jetë dhënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Takimi i thirrur nga kryeministri Rama synonte diskutimin e një mekanizmi të ri për përcaktimin dhe rishikimin periodik të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.