Një ngjarje e rëndë është regjistruar zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku një 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal, që ishte në pronësi të babait të saj.
Sic bëjnë me dije mediat greke, persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së lokalit.
Për pasojë ka mbetur e plagosur në këmbë e mitura, e cila është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan nga brenda makinës dhe më pas u larguan nga vendngjarja. Në momentin e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin 10 klientë, të gjithë shqiptarë.
Dy orë pas sulmit, oficerët e policisë gjetën makinën e autorëve të djegur në zonën e Aspropirgos. Brenda automjetit u gjet një kallashnikov.
Shkaqet e sulmit nuk janë sqaruar ende, megjithatë, oficerët e policisë që po merren me çështjen dyshojnë se urdhri për të shtënat është dhënë nga burgu.