Ka përfunduar afati i dorëzimit të aplikimit për 40 pozicione të lira për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Përmes një njoftimi zyrtar, BKH bën me dije se janë regjistruar 979 aplikime teksa tashmë procesi do të vijojë me verifikimin paraprak të aplikimeve dhe dokumentacionit të paraqitur, në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pas përfundimit të verifikimit paraprak, aplikantët që plotësojnë kriteret e përcaktuara do të kualifikohen për vijimin e fazave të mëtejshme të procesit të rekrutimit. Këto faza përfshijnë testimet dhe vlerësimet, si dhe procedurat përkatëse të verifikimit të integritetit dhe kushteve të sigurisë, të parashikuara në rregullore. Kalimi nga njëra fazë në tjetrën do të kryhet vetëm pas përmbushjes së kritereve dhe standardeve të përcaktuara për secilën prej tyre.
Njoftimi i BKH-së:
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) njofton përfundimin e afatit të dorëzimit të aplikimeve në kuadër të procedurës së hapur të rekrutimit për 40 (dyzet) pozicione për hetues në BKH.
Në përfundim të afatit të përcaktuar në njoftimin publik, janë regjistruar gjithsej 979 (nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë) aplikime për pjesëmarrje në këtë procedurë konkurrimi.
BKH vlerëson interesin e treguar për t’u bërë pjesë e institucionit dhe falenderon të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen në këtë proces.
Me përfundimin e fazës së aplikimit, procedura do të vijojë me verifikimin paraprak të aplikimeve dhe dokumentacionit të paraqitur në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në ligjin nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, në Rregulloren për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe në njoftimin për hapjen e procedurës së konkurrimit.
Pas përfundimit të verifikimit paraprak, aplikantët që plotësojnë kriteret e përcaktuara do të kualifikohen për vijimin e fazave të mëtejshme të procesit të rekrutimit. Këto faza përfshijnë testimet dhe vlerësimet, si dhe procedurat përkatëse të verifikimit të integritetit dhe kushteve të sigurisë, të parashikuara në rregullore. Kalimi nga njëra fazë në tjetrën do të kryhet vetëm pas përmbushjes së kritereve dhe standardeve të përcaktuara për secilën prej tyre.
Aplikantët do të njoftohen për rezultatet e verifikimit paraprak dhe më tej për datën, orën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të fazave pasuese, përmes kanaleve të komunikimit, të cilat janë përcaktuar në dokumentacionin e procedurës.
Byroja Kombëtare e Hetimit mbetet e angazhuar për zhvillimin e një procesi rekrutimi transparent, të paanshëm, konkurrues dhe të bazuar në meritë, integritet dhe aftësi profesionale, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë aplikantët.