Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksionin e SPAK, ku ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, u lëshua masa e sigurisë “arrest shtëpie”, masë e cila ende nuk është ekzekutuar pasi ajo ndodhet jashtë shtetit.
Përveç kontrolleve dhe thirrjes në SPAK të ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, janë arrestuar Fatjon Kalluci, Shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe Embro Sulejmani, administrator i lokalit të bllokut qeveritar në Durrës.
Mësohet se ndaj Hysenit rëndojnë dy akuza: nxjerrje të sekretit hetimor dhe përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se ka favorizuar në arrati Ergys Agasin, biznesmenin e arrestuar pak ditë më parë në kuadër të hetimeve ndaj dosjes “AKSHI”.
Ndërkohë sa i përket Sulajmanit, ky i fundit ka fshirë kamerat e sigurisë të biznesit ku punonte për të fshehur gjurmët e Agasit, i cili frekuentonte agroturizmin “Kodra e Kuajve”.
Burime për mediat bëjnë me dije se kanë qenë pamjet dhe materialet e sekuestruara në zyrën e Agasit që kanë çuat SPAK deri te drejtuesja e inteligjencës shqiptare.
Ndërkohë mësohet se operacioni i SPAK është ende në vijim dhe pritet një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme.