Grabitet apartamenti i kardinalit shqiptar Ernest Simoni në Firence

Grabitet banesa e kardinalit shqiptar Ernest Simoni që ndodhet në Piazza Duomo të Firences.

Mediat italiane bëjnë me dije se autorët, të paidentifikuar kanë arritur të marrin para dhe sende me vlerë në banesën e kardinalit 97-vjeçar, i cili jeton me nipin e tij.

Në momentin kur ndodhi grabitja, kardinali Simoni nuk ndodhej në Firence. Ai është aktualisht në Londër, ku ka zhvilluar një takim me mbretin Charles.

Sipas mediave italiane, as nipi i tij, Tonin, dhe as bashkëshortja e tij nuk ishin në banesë. Ata ishin larguar rreth orës 13:00 dhe u kthyen rreth orës 23:00, kur zbuluan se shtëpia ishte grabitur.

Kur u kthyen në banesë, familjarët gjetën një pjesë të murit të dëmtuar rëndë. Hajdutët kishin përdorur dy daltë, të cilat më pas i kishin lënë në shkallët e pallatit.

Ata kishin arritur të hapnin derën e blinduar dhe më pas kishin kontrolluar dollapët, valixhet dhe kasafortat, duke lënë banesën tërësisht rrëmujë.

Pavarësisht kohës që duket se është dashur për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar, askush nuk kishte vënë re asgjë. As fqinji në katin poshtë nuk kishte dëgjuar apo konstatuar diçka të dyshimtë.

“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Ndiheshim të sigurt. Mund të prisnim gjithçka, përveç faktit që hajdutët të arrinin të bënin një shkatërrim të tillë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Ajo që ka ndodhur është një turp për qytetin”, tha Tonin Simoni.