Qytetarët protestojnë në ditën e 111-të, mesazhi për Ramën: Burgu është rruga jote, për ty nuk ka më shpëtim!

Sot bëhen 111-të ditë nga nisja e protestave për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarë të shumtë në numër kanë dalë sërish në shesh këtë të premte me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK për 4 vepra penale: ‘korrupsion pasiv’, ‘pastrim parash’  ‘fshehje pasurie’, dhe ‘shkelje të barazisë në tendera’.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skendërbej” dhe më pas marshuan para Kryeministrisë, teksa në duar mbanin pankarta me mesazhe të ndryshme.

Disa prej thirrjeve të tyre ishin: “Parlament i krimit”; “Arrestoni Ballukun”; “Edi Rama i tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” etj.

Qytetarët janë shprehur të vendosur për të vazhduar protestat deri në largimin e Ramës nga qeveria.

Kujtojmë se ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është kthyer në një revoltë të gjerë kundër kastës politike, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndërtimin e një sistemi të ri politik.