Kërcënimi me jetë i gazetarit Stafa, Policia: Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar, po punojmë për identifikimin e autorit

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me kërcënimin e gazetarit Osman Stafa. Blutë e tiranës bëjnë më dije se mesazhi me përmbajtje kërcënuese dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.

Njoftimi i Policisë:

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.

Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.