Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj ka dhënë një deklaratë pas vrasjes së 65-vjeçarit Viktor Bardhi në Mirditë, i njohur edhe me mbiemrin Marku.
Për gazetarët, Muçaj njoftoi se policia ka shoqëruar një person, por duke mos dhënë identitetin e tij.
Muçaj sqaroi se po pyeten dëshmitarët ndërsa shtoi se policia ka disa pista për motivet e vrasjeës, por nuk mund ti ndajnë me mediat në këtë fazë.
Gjithashtu tha se është gjetur i djegur edhe mjeti i përdorur nga autorët, por jo arma e krimit,
“Rreth orës 8:55 sot jemi njoftuar në sallën operative për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushas, Mirditë. Kemi ngritur grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe, nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar që një shtetas, që është vrarë në automjetin e tij, është shtetasi Viktor Marku, i datëlindjes 1961. Ndërkohë që jeni dhe vetë prezent, po bëhen të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, në fshatin Rrethi i Ri, që është afër Rubikut, diku këtu afër, është djegur një automjet. Është ngritur dhe grupi hetimor i dytë dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore, po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do të jemi për një njoftim të dytë, sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi të shoqëruar dhe pistat tona i kemi, por nuk mund t’i ndajmë në këtë moment me mediat. Jo, nuk janë gjetur armë në makinë”, tha Muçaj.