Dy shpërthime me lëndë plasëse në Durrës, dëmtohen një lokal dhe një garazh

Dy incidente me lëndë plasëse janë shënuar në orët e para të mëngjesit në Durrës, ndërsa nga shpërthimet raportohet vetëm për dëme të lehta materiale.

Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 03:50 në lagjen nr. 11, ku një sasi e vogël lënde plasëse u hodh në pjesën e jashtme të një lokali në pronësi të një shtetasi me inicialet G. K.

Shpërthimi shkaktoi dëmtime të kufizuara materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Rreth 40 minuta më pas, një tjetër shpërthim u regjistrua në zonën e Shkallnurit, përgjatë aksit rrugor Plepa–Ndroq. Sipas të dhënave paraprake të policisë, lënda plasëse ishte vendosur në derën e një garazhi, duke shkaktuar edhe në këtë rast dëme materiale.

Pas të dyja ngjarjeve, në vendngjarje kanë shkuar grupet hetimore, të cilat nën drejtimin e Prokurorisë po punojnë për dokumentimin e rasteve dhe mbledhjen e provave.

Deri më tani, autorët dhe motivet e këtyre dy incidenteve mbeten të paqarta. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.