Fundi i arratisjes për rusin që vrau 3 persona në Mal të Zi, 30-vjeçari vret veten gjatë aksionit të policisë për ta arrestuar

Rusi Mihail Shabunjin, i dyshuar për vrasjen e tre personave në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi, është lokalizuar në një pyll mbi lagjen Topla në Herceg Novi.

Sipas autoriteteve malazeze, kur policia e rrethoi, Shabunjin hapi zjarr ndaj efektivëve dhe më pas qëlloi veten me armë zjarri. Policia konfirmoi më vonë se ai kishte kryer vetëvrasje.

Shabunjin dyshohet se të hënën vrau Nemanja Kapor, 20 vjeç, Petar Globarević, 24 vjeç, dhe Momir Radonjić, 67 vjeç, të tre punonjës të poligonit “Češka Zbrojevka” në Danilovgrad. Pas krimit, ai dyshohet se vodhi disa armë dhe municione, si dhe një automjet me të cilin u largua nga vendngjarja.

Policia e kërkoi intensivisht në disa zona të Malit të Zi, pasi e konsideroi një person të armatosur dhe shumë të rrezikshëm. Pas publikimit të fotografive të tij, disa qytetarë raportuan se e kishin parë duke lëvizur në zonën e lumit Zeta dhe në territore malore.

Hetimet treguan se pas largimit nga zona e Danilovgradit, Shabunjin kishte udhëtuar me taksi drejt Herceg Novit. Policia dhe Agjencia për Sigurinë Kombëtare e lokalizuan më pas në një zonë pyjore mbi lagjen Topla, ku u zhvillua përballja fatale.

Autoritetet malazeze po hetojnë ende shkakun dhe motivin e trefishtë të vrasjes.

Pas tragjedisë, qeveria e Malit të Zi shpalli 1 dhe 2 shtatorin ditë zie kombëtare, ndërsa fillimi i vitit shkollor në Danilovgrad u shty për 3 shtator.